Olta Xhaçka, deputete e Partisë Socialiste në Kolonjë shpalli fitoren e Erion Isait, kandidatit të PS-së në Bashkinë Kolonjë. Në një deklaratë për media nga selia e PS-së, Xhaçka tha se “Kolonja vjen me fitoren e merituar, me një fitore spektakolare”.
Eshtë spektakolare sepse është përfundimi i merituar i një fushate model. Fushata më e bukur që kemi bërë ndonjëherë, që kishte në qendër komunikimin me çdo qytetar për projektet e së ardhmes. Ishte një fitore spektakolare edhe për faktin që Rama dhe PS, Erion Isai vazhdon të marrë një mbështetje të merituar dhe një mbështetje të vazhdueshme dhe konstante nga Kolonja, me 65% në këto zgjedhje.
Xhaçka falënderoi aktivistët dhe patronazhistët e PS-së, që sipas saj “bënë të mundur këtë fitore” e “këtë fushatë kaq të bukur”.
Kjo fitore na ngjall më shumë detyrim dhe përgjegjësi për të bërë edhe më shumë se ç’kemi bërë gjatë këtyre viteve për Kolonjën. Kolonjën e mrekullueshme të njerëzve të jashtëzakonshëm që i ka dhënë kaq shumë kulturës dhe patriotizmit të gjithë Shqipërisë.
Ky besim është angazhim për përgjegjësi, për të bërë më shumë, për të ecur përpara, për të vazhduar transformimin e Kolonjës, për t’i hapur rrugë zhvillimi në qytet, fshat kudo. Për më shumë mirëqenie e punësim për të gjithë, të përmbushim potencialin turistik që ka Kolonja.
Kryetari i bashkisë së Kolonjës, Erion Isai i cili në këto zgjedhje siguroi një tjetër mandat tha:
Jam shumë i lumtur që Kolonja i dha një grusht spektakolar elektoral në këto zgjedhje, 65% për Ramën dhe PS-në. Rezultat historik. Ne nuk punuam në këto zgjedhje për mandatin e bashkisë, ne bëmë provën gjenerale të mandatit të katërt të Edi Ramës e PS-së.
Kolonja e zgjedh, e ndjek dhe ecën vetëm përpara, me punë dhe zhvillim. Falënderoj Niko Peleshin dhe grupin e qarkut të Korçës, 6 me 0 do arrijë Korça.