Zyrtarisht, Partia Demokratike kërkon shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve në qarkun e Korçës. Kërkesa u depozitua në Komisionin e Ankimeve dhe Sanksioneve, KAS duke kërkuar përsëritjen e zgjedhjeve në të gjithë qarkun. Në dokumentin e dorëzuar në KAS parashtrohen edhe provat. Fillimisht përmendet përdorimi sistematik i administratës publike dhe strukturave shtetërore në funksion të interesave elektorale të Partisë Socialiste.
Më pas përdorimi i kësaj administrate dhe strukturave publike për të ndikuar tek vota e diasporës. Madje, në dokument thuhet se i gjithë aparati shtetëror u angazhua për të siguruar vetëm 36 vota të burgut të grave në Pojskë. Si pasojë, rezultati ishte 100 përqind në favor të PS-së.
Në dokumentin e Partisë Demokratike citohet edhe raporti paraprak i OSBE/ODIHR-it që theksonte se qarku i Korçës ishte ndër rajonet që shfaqi problematika serioze në këto zgjedhje. Dokumenti i ndërkombëtarëve nënvizonte se në Korçë pati pretendime për blerje votash dhe përfshirje të strukturave të patronazhistëve për të bërë presion mbi qytetarët.
Më tej, në ankesën e PD-së thuhet se është dokumentuar me fakte konkrete shpërndarja e miellit për vota në zonën e Maliqit. Po ashtu me raste konkrete përmenden favoret nga zyrtarët e partisë shtet për bizneset e zonave të ndryshme.
Asfalti elektoral dhe investimet para zgjedhjeve, të ndaluara me ligj, janë pjesë e kësaj dosjeje. Në dokumentin e PD-së përmenden edhe punësimet e reja në administratë gjatë fushatës për blerje votash.
Një pjesë të rëndësishme në këtë dosje zë pjesa e manipulimit të votës së diasporës, duke nënvizuar se një e treta e të gjithë zarfeve të Greqisë erdhën në një ditë të vetme. Farsa elektorale u finalizua në ditën e zgjedhjeve, thekson dokumenti voluminoz.
Kujtojmë se PD ka nisur të kërkojë pavlefshmërinë qark pas qarku lidhur me zgjedhjet e 11 Majit 2025.