Aktualitet

Vijon numërimi i votave preferenciale, Olta Xhaçka thellon avantazhin ndaj Blerina Gjylametit në Tiranë! Ja si renditen kandidatet!

Vijon numërimi i votave preferenciale në Tiranë. Ish-ministrja Olta Xhaçka ka kaluar kolegen e saj, Blerina Gjylameti me 59 vota.

Sipas rezultatit të deritanishëm, Xhaçka ka marrë 5914 vota, Gjylameti grumbulloi 5855 vota.

Në Partinë Demokratike, Jorida Tabaku ka fituar mandatin duke kaluar Ilir Alimehmetin me një diferencë prej 2300 votash.

Deri tani janë numëruar 15488 nga 43157 vota të diasporës për qarkun e Tiranës, që përfshijnë edhe votat preferenciale për kandidatët.

Ndërkaq, Kryekomisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi dha detaje në lidhje me procesin e numërimit të votimit jashtë vendit, konkretisht nga Greqia. Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, bëri me dije se “ka përfunduar numërimi dhe vlerësimi i fletëve të votimit nga jashtë (Greqi) për subjektet zgjedhore në qarqet: Durrës; Tiranë; Shkodër; Dibër; Lezhë; Fier; Vlorë; Elbasan”.

Celibashi theksoi se vijon procesi i numërimit dhe vlerësimit të fletëve të votimit nga jashtë (Greqi) për subjektet zgjedhore në qarqet: Korçë; Gjirokastër e Berat.

Sipas kryekomisionerit, po ashtu “ka filluar procesi i numërimit dhe vlerësimit të votave nga jashtë për kandidatët e votimit preferencial (në listë “të hapur”) në qarqet: Durrës; Tiranë; Shkodër; Fier; Lezhë; Dibër; Elbasan e Vlorë.

Për qarkun Kukës ka përfunduar procesi i numërimit dhe vlerësimit të votave nga jashtë për kandidatët e votimit preferencial (në listë “të hapur”).