Sport

“Euro 2024”, mediat spanjolle flasin për “finale të fëmijëve”!

Mbërritja e Kombëtares Spanjolle të Futbollit deri në finalen e Kampionatit Europian, sot është tema e ditës në të gjitha faqet e para të gazetave kryesore iberike. Titujt festojnë suksesin e “Roja”-s e në veçanti të protagonistëve të saj më të rinj.

“Finalja e fëmijëve”. Kështu e titullon gazeta e njohur spanjolle “El Mundo”. Ndër të gjithë, spikat 16-vjeçari Lamine Yamal, shënues i njërit prej dy golave ​​vendimtarë në fitoren 2-1 në gjysmëfinale ndaj Francës mbrëmjen e djeshme dhe i zgjedhur si fytyra simbolike e momentit edhe për historinë e tij personale.

Një yll në rritje për Barcelonën, Yamal u lind në Katalonjë nga prindër emigrantë. Babai i tij është me origjinë marokene dhe nëna e tij është nga Guinea Ekuatoriale.

Siç thekson “Vanguardia”, dje lojtari festoi golin e tij me një gjest të veçantë: ai tregoi numrat 304, kodin postar të lagjes popullore dhe multietnike të qytetit Mataró ku dhe u rrit. Paralelisht, mediat spanjolle po trajtojnë edhe temën e debatit politik për menaxhimin e pritjes së të miturve emigrantë të pashoqëruar, temë kjo që po vendoset në qendër të një takimi mes qeverisë dhe bashkive.

Siç nënvizon një titull nga “El País”, disa qeveri (kryesisht ato në duart e koalicioneve të krahut të djathtë midis Popular dhe Vox) nuk duken të gatshme të pranojnë një marrëveshje për shpërndarjen e detyrueshme të kësaj përgjegjësie.

Ndërkohë, në orët e fundit, të gjithë drejtuesit kryesorë politikë të vendit kanë festuar dhe fitoren e Spanjës në Kampionatin Europian.

Ju keni një vend të tërë pas jush, shkroi kryeministri Pedro Sánchez në X.

Pasi mbrëmë mundi Francën duke e kthyer në shtëpi, sot Spanja pret të mësojë emrin e fitueses së gjysmëfinales Holandë-Angli pasi me njërën prej tyre do të përballet në finalen e 14 korrikut në Europianin “Gjermani 2024”.

Ndërkaq, kryeministri britanik, Keir Starmer po shpreson që zyrtarët ta mbajnë të përditësuar në lidhje me gjysmëfinalen e Anglisë në Euro 2024 kundër Holandës, ndërsa ai merr pjesë në samitin e NATO-s në Uashington. Ekipi i teknikut Gareth Southgate luan sonte në orën 21:00 me Holandën dhe luanëve anglezë, Starmer iu kërkoi fitoren, që të jenë finalistët e Europianit këtë të diel. Ata i janë afruar (finalja me Italinë 2021), por asnjëherë nuk e kanë provuar shijen e fitores në një Europian.