Bota

Europa arrin nivelin më të ulët të lindshmërisë në 6 dekada!

Numri i lindjeve në Bashkimin Europian ka pësuar një rënie rekord vitin e kaluar. Të dhënat e Eurosat tregojnë se lindjet në vendet e unionit ishin rreth 3 milionë e 665 mijë vitin e kaluar, numri më i ulët që nga viti 1961. Kjo shënon një rënie prej 5,5 përqind nga viti 2022, që ishte gjithashtu rënia më e madhe vjetore ndonjëherë. Vendet më të prekura të BE-së pësuan rënie dyshifrore të numrit të fëmijëve të lindur, duke treguar për një krizë demografike në rritje.

Në Rumani, lindjet ranë me 13,9 %, në Poloni 10,7 për qind dhe Çeki 10%. Të gjitha përbëjnë  një nivel rekord në rënie. Vendet e mëdha evropiane të pasura si Franca dhe Gjermania po përjetojnë gjithashtu rënie të madhe të numrit të lindjeve, përkatësisht 6.6 % dhe 6.2 %. Gjermania tashmë po përballet me mungesa kronike të fuqisë punëtore, me rreth 1.3 milionë vende pune të paplotësuara.

Ekspertët demografikë besojnë se tendenca e gjatë e europianëve që të kenë gjithnjë e më pak fëmijë mund të jetë përkeqësuar nga rritja më e madhe e inflacionit ndër breza, pandemia e Covid-19 dhe shqetësimet për ndryshimin e klimës. Sipas një raporti të Financial Times, mungesa e të rinjve në Europë pritet të ushtrojë presion mbi financat e unionit pasi popullsia në moshë pune është në rënie dhe kostoja e shpenzimeve në fusha të tilla si kujdesi shëndetësor dhe pensionet rritet.

Nga të dhënat gjithashtu bie në sy se gratë në BE kanë fëmijë në moshë më të madhe. Në vitin 2022, mosha mesatare e grave në lindjen e fëmijës së tyre të parë ishte gati 30 vjeçe. Ndërkohë përqindja e lindjeve nga nënat e moshës 40 vjeçe e lart është dyfishuar në dekadën e fundit nga 2.5 për qind në 6 për qind. Rreth 13.4 milionë foshnje kanë lindur para kohe në vitin 2020 në mbarë botën. Hulumtimi lidhur me lindjet e parakohshme u publikua nga autorët e OBSH, Fondit të Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) dhe Shkollës së Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër. “Rreth 13.4 milionë foshnje kanë lindur para kohe në vitin 2020, që përbën afërsisht një në dhjetë të të gjitha lindjeve të gjalla”,-thuhet në raport.