Familjarët e Armir Shahinit kanë reaguar publikisht në Instagram lidhur me mënyrën se si ai është trajtuar gjatë qëndrimit të tij në Big Brother VIP Albania.
Në deklaratën zyrtare, ata theksojnë se Armiri është rritur me vlera të forta dhe ka hyrë në format me synimin për të qenë autentik dhe për të dhënë kontribut pozitiv. Sipas tyre, sjellja e tij brenda shtëpisë është interpretuar dhe transmetuar jo gjithmonë në mënyrë të drejtë.
Familja shpreh shqetësim për etiketimet dhe akuzat e rënda që, sipas tyre, kanë tejkaluar kufijtë e pranueshëm dhe kanë cenuar identitetin moral e profesional të tij. Ata nënvizojnë se kjo situatë nuk duhet të shndërrohet në sensacion mediatik apo në mjet për të nxitur reagime publike në dëm të dinjitetit të Armirit.
Në reagim theksohet gjithashtu se ironia e përdorur prej tij në disa momente ka qenë një formë përballimi ndaj presionit të vazhdueshëm të lojës dhe dinamikave brenda shtëpisë.
Familjarët kërkojnë që situata të trajtohet me kujdes dhe standarde profesionale, duke shprehur besimin se produksioni dhe ekipi përgjegjës do ta menaxhojnë çështjen me përgjegjësi dhe në përputhje me vlerat e formatit.
Në fund, familja Shahini falënderon publikisht mbështetësit për përkrahjen, duke theksuar se reagimi i tyre ka si qëllim mbrojtjen e emrit dhe dinjitetit të Mirit.