Aktualitet

Fëmijët e infektuar me salmonelë në kopshtin në Gramsh, shkak veza e kontaminuar!

Burime zyrtare thanë për gazetaren e Top Channel, Bruna Kërçyku se infektimi i fëmijëve në Gramsh është për shkak të vezës me salmonelë. Këto burime pranë AKU-së bëjnë me dije se vezët e përdorura në kopshtin nr 1 në Gramsh kanë qenë të kontaminuara. Nga analizat e mëparëshme të institucionit, mishi i pulës dhe qumështi rezultuan negativë.

Skandali i salmonelës në kopshtin e fëmijëve në Gramsh u identifikua një javë më parë kur disa fëmijë shfaqën simptoma të njëjta të sëmundjes duke nxitur dyshime te mjekët, të cilët kërkuan analiza të mëtejshme.

ISHP-ja kreu analizat për 79 persona të këtij kopshti, ku 17 prej tyre rezultuan pozitivë, mes tyre 16 fëmijë dhe një psikologe.

Aktualisht, gjendja shëndetësore e 6 fëmijëve që kërkuan kujdes mjekësor paraqitet e mirë dhe ata qëndrojnë në shtëpi. AKU-ja mori masën e pezullimit të aktivitetit të Kopshtit nr.1 në Gramsh deri në përfundimin e të gjitha analizave dhe dezinfektimeve të mëtejshme.

Ndaj këtij rasti tashmë ka nisur një hetim nga Prokuroria e Elbasanit për zbardhjen e rrethanave të infektimit. Në reagimin e saj, Bashkia e Gramshit sqaroi funksionimin e regjimit ushqimor në kopsht, shprehu kujdesin ndaj shëndetit të fëmijëve ndërkohë që kërkoi zbardhjen e rrethanave nga institucionet përkatëse.