Gossip Showbiz

Fillon gjyqi i Sean Diddy Combs ku rrezikon burgim të përjetshëm! A do të transmetohet në televizion?

Ka nisur më 5 maj gjyqi ndaj producentit të njohur muzikor Sean Diddy Combs, tetë muaj pas arrestimit të tij për tre akuza të rënda penale. Për dallim nga disa procese të tjera të famshme në SHBA, ky gjyq nuk do të transmetohet në televizion.

Pronari i shtëpisë diskografike “Bad Boy Records” do të përballet me një juri prej 12 anëtarësh dhe një gjyqtari në një proces që pritet të zgjasë nga tetë deri në dhjetë javë. Nëse shpallet fajtor, ai mund të dënohet me burgim të përjetshëm.

Pse nuk transmetohet gjyqi?

Arsyeja që ky proces nuk transmetohet ka të bëjë me ligjet federale amerikane, të cilat ndalojnë filmimet dhe transmetimet televizive të proceseve penale federale. “Rregulli 53 e Procedurës Penale Federale” ndalon shprehimisht praninë e kamerave apo mjeteve të tjera regjistruese në sallën e gjyqit.

Ndërkohë, në disa shtete amerikane lejohen kamerat për çështje civile, me lejen e gjyqtarit, por kjo nuk vlen për rastet penale federale si ky i Combs.

Për pasojë, publiku dhe mediat do të varen nga raportimet e gazetarëve dhe përmbledhjet zyrtare pas çdo seance, pasi nuk do të ketë pamje nga brenda sallës.

Që nga arrestimi, Diddy po mbahet në “Qendrën e Paraburgimit Metropolitan në Brooklyn”, pasi kërkesat e tij për lirimin me kusht janë refuzuar disa herë. Avokati i tij ka deklaruar se ai është i pafajshëm dhe do ta provojë këtë në sallën e gjyqit.

Ky proces gjyqësor pritet të jetë një nga më të bujshmit dhe më të ndjekurit në historinë e industrisë amerikane të argëtimit.

Gjyqi po zhvillohet në gjykatën federale të Manhattan-it, ku sytë e opinionit publik janë të përqendruar në çdo zhvillim.