Jennifer Lopez mund të përfshihet në mënyrë indirekte në procesin gjyqësor ndaj reperit Sean “Diddy” Combs, i cili po përballet me akuza serioze për shantazh, trafikim njerëzor për shfrytëzim seksual dhe përfshirje në veprime të lidhura me prostitucionin.
Prokurorët po kërkojnë të paraqesin si provë një incident të vitit 1999 në një klub nate në Nju Jork, ku ishin të pranishëm edhe Diddy dhe Lopez.
Ngjarja përfshinte të shtëna zjarri që lanë të plagosur tre persona. Pas incidentit, çifti i atëhershëm u ndalua nga policia teksa udhëtonin nëpër Manhattan, dhe në automjetin e tyre u gjet një armë e vjedhur.
Të dy u arrestuan, por Lopez nuk u përball me akuza, ndërsa akuzat ndaj Combs u rrëzuan për mungesë provash të besueshme.
Megjithëse Jennifer Lopez nuk është e dyshuar apo dëshmitare në këtë rast të ri, përfshirja e ngjarjes së vitit 1999 si provë mund ta rikthejë atë në vëmendjen publike dhe mediatike.
Ndërkohë, mbrojtja e Combs po kundërshton ashpër përdorimin e këtij incidenti si provë, duke argumentuar se është i parëndësishëm për çështjen aktuale. Ata po përpiqen gjithashtu të përjashtojnë nga provat një video të vitit 2016 që tregon një sulm të dyshuar fizik ndaj ish-partneres së tij Cassie Ventura.
Videoja u publikua në maj 2024 nga CNN, dhe Combs deklaroi se “merrte përgjegjësinë e plotë”, çka u pasua nga arrestimi i tij.
Avokatët e reperit pretendojnë se videoja është manipuluar dhe nuk mund të konsiderohet e besueshme.
Një ekspert mjeko-ligjor, Connor McCourt, ka pohuar nën betim se pamjet janë përshpejtuar dhe të modifikuara rëndë, duke bërë të pamundur vërtetësinë e tyre.
Po ashtu, mbrojtja kërkon përjashtimin e dëshmisë së një akuzueseje të tretë, të identifikuar si “Viktima 3”, duke e konsideruar dëshminë e saj si të panevojshme dhe paragjykuese për jurinë.
Ndërkohë që më parë Combs kërkonte që gjyqi të zhvillohej sa më shpejt, ai ka paraqitur një kërkesë për shtyrjen e tij me dy muaj, për të pasur më shumë kohë për përgatitjen e mbrojtjes.
Kjo kërkesë vjen pas paraqitjes së një aktakuze të tretë të ndryshuar nga prokurorët në fillim të prillit, e cila sipas ekipit mbrojtës përfshin sjellje të reja dhe të rëndësishme.
Ndërsa procesi ligjor ndaj Combs vazhdon, sytë janë kthyer edhe nga personazhet e njohur që mund të përmenden gjatë gjyqit, përfshirë edhe Jennifer Lopez.