Zogu chlorophanes spiza e ka gjysmën e djathtë të trupit mashkull dhe gjysmën e majtë femër. Ky zog ushqehet me fruta dhe është i përhapur nga Meksika jugore deri në Brazilin jugor. Ai arrin 13 deri 14 centrimetra. Zogu mashkull ka ngjyrë jeshile në blu, zogu femër ka pupla në ngjyrë jeshile bari. Është hera e parë që një zog i tillë gjinandromorf vëzhgohet në hapësirën natyrore ku jeton.
Një gjinandromorfizëm i tillë krijohet kur një ovum (vezë) nuk ndahet mirë dhe fekondohet nga dy spermie. Ky fenomen i rrallë është konstatuar edhe tek kanarinat, gaforret, fluturat dhe insekte të tjera. Zogu i para 100 viteve i kishte ngjyrat anasjelltas, djathtas ishte femëror dhe majtas mashkullor. Zogu i rrallë është zbuluar në Villamaria të Kolumbisë nga ornitologu amator, John Murillo.
“Ky fenomen është shumë i rrallë tek zogjtë. Shumë vëzhgues zogjsh nuk hasin në jetën e tyre asnjëherë ndonjë zog gjinandromorf”,-shpjegon Hamish Spencer për revistën shkencore “Journal of Field Ornithology”. Ornitologu amator John Murillo kishte ngritur një çerdhe zogjsh me ushqim, çerdhe ku zogu i rrallë hermafrodit shkonte rregullisht për dy vjet rresht.
Ndërkaq, zogu më i vogël në botë, kolibri (Trochilidae), është një nga krijesat më të pazakonta me krahë në botë. Ai ka 8 brinjë, ndryshe nga zogjtë e tjerë që kanë kryesisht gjashtë. Zemra e tij rreh me një shpejtësi prej 400 deri në 500 rrahje në minutë dhe në të njëjtën kohë ai thith ajër 250 herë. Ndërsa kolibri fle, i ngadalësohet zemra, sepse në të kundërtën, për shkak të metabolizmit të shpejtë, do të ngordhte nga uria.