Zëdhënësi i Donald Trump-it, Steven Cheung përshëndeti vendimin e fundit të një gjykatëseje amerikane që pushoi çështjen gjyqësore lidhur me akuzat ndaj presidentit të sapozgjedhur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës pas një kërkese të prokurorëve bazuar në politikën e Departamentit amerikan të Drejtësisë kundër ndjekjes penale të një presidenti në detyrë.
Vendimi i gjykatëses Tanya Chutkan i jep fund përpjekjes federale për ta mbajtur Trump-in përgjegjës lidhur me tentativat për të marrë pushtetin pas humbjes së zgjedhjeve të 2020-ës, duke kulmuar me sulmin e 6 janarit 2021 në Kapitol nga një grup mbështetësish. Ai iu referua si “fitore e madhe për sundimin e ligjit”.
Donald Trump përballej me akuza penale në katër raste, dy të paraqitura nga prokurori i posaçëm Jack Smith dhe dy në gjykatat shtetërore në Nju Jork e Xhorxhia. Por u shpall fajtor në rastin e Nju Jorkut ndërsa çështja në shtetin e Xhorxhias, që gjithashtu lidhet me përpjekjet e tij për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, nuk po përparon.
Në një postim në rrjetet sociale, dje, Donald Trump kritikoi çështjet ligjore ndaj tij, duke thënë se ato ishin një “pikë e ulët në historinë e vendit tonë”. Veprimet e tanishme të Smith-it, i cili u emërua në vitin 2022 nga Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Merrick Garland, janë shumë të ndryshme nga ato në kohën kur ai mori detyrën.
Pas ngritjes së akuzave ndaj ish-presidentit Donald Trump në atë kohë, shprehej se bëhej fjalë për krime që kërcënonin integritetin e zgjedhjeve dhe sigurinë kombëtare të Shtetet të Bashkuara. Prokurorët pranuan se zgjedhja e një presidenti i cili përballej me çështje penale krijoi një problem të pashembullt për Departamentin amerikan të Drejtësisë.
Donald Trump u deklarua i pafajshëm në gusht 2023 për katër akuza federale, përfshirë ato për komplot për të penguar certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të vitit 2020, të cilat i fitoi demokrati Joe Biden. Si president do të mbikëqyrë sërish Departamentin e Drejtësisë e pritet të urdhërojë pushimin e të dyja çështjeve penale ndaj tij, atë për përmbysjen e rezultatit të zgjedhjeve të vitit 2020, si dhe të mbajtjes së dokumenteve sekrete.