Një gjykatëse amerikane pushoi çështjen gjyqësore lidhur me akuzat ndaj Donald Trump-it për përpjekje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, pas një kërkese të prokurorëve bazuar në politikën e Departamentit të Drejtësisë kundër ndjekjes penale të një presidenti në detyrë. Vendimi i gjykatëses Tanya Chutkan i jep fund përpjekjes federale për ta mbajtur Trump-in përgjegjës lidhur me tentativat e tij për të mbajtur pushtetin pas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2020, duke kulmuar me sulmin e 6 janarit 2021 në Kapitol nga një grup mbështetësish.
Vendimi pasoi kërkesën e Prokurorit të Posaçëm, Jack Smith, i cili ka mbikëqyrur rastin për zgjedhjet dhe atë për dokumentet sekrete, për të pushuar të dyja çështjet. Trump është akuzuar se pas largimit nga detyra e Presidentit në vitin 2021, mbajti dokumente sekrete, në mënyrë të paligjshme.
Ky vendim është një fitore e madhe ligjore për presidentin e zgjedhur republikan, i cili fitoi zgjedhjet e 5 nëntorit në Shtetet e Bashkuara dhe do të kthehet në detyrë më 20 janar.
Politika e Departamentit të Drejtësisë që cituan prokurorët daton në vitet 1970. Ajo thotë se ndjekja penale e një presidenti në detyrë do të përbënte shkelje të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara, duke minuar aftësinë e udhëheqësit të degës ekzekutive të vendit për të ushtruar funksionet e tij.
Prokurorët në një dosje në rastin e përpjekjes për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve thanë se politika e Departamentit të Drejtësisë kërkon që çështja të pushohet përpara se Trump të kthehet në Shtëpinë e Bardhë.
Ky rezultat nuk bazohet në meritat apo forcën e çështjes kundër të pandehurit.
Prokurorët e çështjes së dokumenteve sekrete sinjalizuan se do të kërkojnë nga një gjykatë federale e Apelit rikthimin e çështjes kundër dy bashkëpunëtorëve të Trump-it, të akuzuar për pengim të hetimit në fjalë. Gjykatësja Chutkan la të hapur mundësinë që prokurorët të ngrejnë sërish akuza ndaj Trump-it pas largimit të tij nga detyra por prokurorët ka të ngjarë të përballen me sfidën e kalimit të një periudhe kaq të gjatë kohore nga shkeljet e dyshuara.