Sport

Flik: Ëndrrat nuk janë të ndaluara, por këmbët në tokë. Barcelona di si të fitojë kundër Dortmundit

Barcelona do të presë sonte në mbrëmje Dortmundin në ndeshjen e vajtjes në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve. Katalanasit shihen si favoritë në këtë çift, madje dhe një nga pretendentët kryesorë për fitimin e trofeut në Mynih. Por trajneri Hansi Flik vazhdon të qëndrojë me këmbë në tokë, duke u munduar ta përcjellë ekuilibrin e tij edhe te skuadra. Ai është shfaqur optimist për qëllimet e Barcelonës së tij, por pa kaluar në eufori dhe duke ruajtur një shkallë të lartë realizmi. Trajneri shprehu besimin në paraqitjen e meshkujve të tij në ndeshjen e nesërme të çerekfinales së Champions League kundër Borussia Dortmundit, por nuk pranoi as rolin e favoritit.

LEXO EDHE: Ishte asistent i kroatit Kovaç te Bajerni, ja si “çiraku” Flik e tejkaloi mësuesin e tij

“Mendoj se kur arrini në çerekfinale dëshironi të shihni përpara dhe të mos ndaleni. Dëshironi të hidhni hapin e radhës. Ndaj Dortmundi do të jetë e vështirë. Ata kanë një forcë sulmuese për t’u pasur zili… duhet të kontrollojmë si duhet sulmuesit e tyre”, tha Flik në konferencën për shtyp.  “Unë mendoj se kemi punuar mirë në Ligën e Kampioneve, në fushën tonë dhe jashtë. Ne e dimë se si të fitojmë një ndeshje jashtë, si të vazhdojmë përpara… Kam besim të plotë në ekip. Ne jemi gati për këtë përballje të dyfishtë, por nuk mund të them se kualifikimi do të vendoset që në ndeshjen e parë”.

DUELI ME MIKUN KOVAÇ – “Nuk e di nëse fakti që e njoh do të na ndihmojë! Personalisht e vlerësoj shumë, është një person dhe trajner i madh”.

A shihet Barcelona si favorite?

“Ne mund të ëndërrojmë, por lojtarët dhe trajnerët duhet të mbajnë këmbët në tokë. Ne duhet të shikojmë se çfarë kemi arritur, bazuar në punën e palodhur, dhe nuk duhet të kënaqemi me kaq. Duhet të japim gjithçka që kemi për të vazhduar më tej në Champions. Duhet të japim maksimumin kundër një rivali shumë të fortë”.

Statistikat, a i beson? 

“Nuk jam i interesuar për statistikat apo e kaluara. Unë jetoj të tashmen. Liga e Kampioneve është turneu më i madh evropian dhe ne duam ta arrijmë atë”.