Sport

Gjysma e çerekfinalisteve të “Champions” patën telashe në fundjavë

Teksa në Itali po diskutohet shumë për fitoren e hedhur në kosh nga ana e Interit në “Tardini” kundër Parmës, fakt është se gjithsej 4 nga 8 skuadrat çerekfinaliste në UEFA Champions League nuk arritën dot fitore.

Ajo e Interit, ishte një ndeshje që me rezultatin 0-2, dukej e fituar dhe me 3 pikët në xhep. Por sigurisht që në mendjet e futbollistëve ndikoi jo pak sfida që do të luhet në mesjavë për një nga kompeticionet më të rëndësishme.

Një sfidë kaq e rëndësishme sa ajo kundër Bajernit të Mynihut, influencon jo pak në paraqitjen dhe menaxhimin e forcave për duelet e kampionatit dhe ndikon në zgjedhjet e trajnerit për rrotacion.  Inxagi zëvendësoi Çalhanoglunë, Lautaron dhe Dimarkon! Dhe ndeshja iku nga kontrolli…

LEXO EDHE:  Reali ndërlikon çështjen e titullit, goditje dhe një shumë dyshime
Kjo mund të shpjegohet vetëm duke parë të gjitha rezultatet e arritura në këtë fundjavë, nga skuadrat që do të luajnë në fazën çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Gjysmat e këtyre ekipeve nuk kanë arritur që të fitojnë dot në kampionatet respektive dhe sigurisht që mendja është tek Europa. Pra, nga 8 skuadra, 50% nuk kanë fituar.

Reali i Madridit, në fakt, ka dështuar kundër Valencias duke humbur në fund dhe nuk mund të thuash që Ançeloti e ka ekzagjeruar me rrotacionin. Përveç faktit që e nisi me Rodrigon në stol dhe Brahim Diazin si titullar. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Barcelonën që u ndal në “Montjuiç” nga Betis i Pelegrinit. Katalanasit luajtën me formacionin tip, me përjashtim të Rafinjës që e nisi në pjesën e dytë.

Edhe Arsenali me mendjen te Reali ka barazuar në shtëpi me Evertonin duke hequr dorë nga aktivizimi i Sakasë dhe Odegardit. Sigurisht që për “Topçinjtë” është një ndalesë pa shumë influencë sepse gara për titullin është thuajse e mbyllur me Liverpulin që po ecën me ritme të frikshme. Ndalesat e Interit, Realit dhe Barcelonës janë më të rënda sepse të tria ekipet po luftojnë për titullin në kampionatet respektive.

Ndërkohë që PSG-ja nuk ka pasur surpriza duke fituar 1-0 në shtëpi ndaj Onzher dhe ky triumf shërbeu për të sjellë titullin kampion. U arrit rezultati maksimal me sforcot minimale duke ruajtur për Champions-in francezin Dembele. Golin e shënoi Due. Sukses të rëndësishëm mori edhe Aston Vila kundër Notingam Forest, që është në vendin e tretë në kampionat. Edhe Dortmundi mori 3 pikë me një goleadë ndaj Frajburgut. Edhe Bajerni bëri detyrën, por ndaj Augsburgut u dëmtua Musiala.