Aktualitet

Fluks i lartë në Morinë: Mbi 32 mijë kalime në kufi brenda 24 orëve!

Nisja e sezonit veror dhe ditët e fundjavës kanë sjellë një rritje të ndjeshme të qarkullimit në Pikën Kufitare të Morinës.

Mijëra qytetarë nga Kosova kanë zgjedhur bregdetin shqiptar si destinacionin kryesor për të kaluar pushimet e tyre.

Sipas të dhënave zyrtare të autoriteteve kufitare, fluksi ka arritur kulmin ku vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 32.453 hyrje-dalje personash dhe 11.198 automjete.

Përballë këtij vrulli udhëtarësh, Pika Kufitare e Morinës ka aktivizuar kapacitetet maksimale duke vënë në funksionim 12 sportele në hyrje dhe në dalje.

Falë zbatimit të procedurës së përshpejtuar të kontrollit—një masë kjo e parashikuar në marrëveshjen për lëvizjen e lirë mes Shqipërisë dhe Kosovës—është bërë i mundur kalimi i shpejtë i automjeteve dhe janë shmangur radhët e gjata apo pritjet e stërzgjatura në kufi.

Autoritetet parashikojnë që ky fluks të mbetet i lartë dhe në rritje të vazhdueshme edhe gjatë ditëve në vijim, teksa sezoni turistik veror po hyn në fazën e tij dinamike.

Bregdeti shqiptar mbetet zgjedhja parësore dhe tradicionale e pushuesve nga Kosova, të cilët shfrytëzojnë fundjavat ose pushimet e tyre vjetore pranë detit.