Zyra Europiane Anti-Mashtrim (OLAF), përgjegjëse për investigimin e shpërdorimeve apo parregullsive të evidentuara me fondet europiane në vendet anëtare dhe në ato që përfitojnë nga fonde komunitare ka hapur 36 hetime në vendet e Ballkanit Perëndimor, në pesë vitet e fundit.
Të dhënat sigurohen nga raportet vjetore të punës së OLAF, të aksesueshme për publikun në faqen zyrtare të këtij institucioni, linku – https://anti-fraud.ec.europa.eu/about-us/reports/annual-olaf-reports_en
Detajet e kompetencave apo hetimeve të OLAF kanë fituar vëmendje publike në Shqipëri, pas lajmit se Komisioni Europian ndërpreu përkohësisht rimbursimin e shtetit shqiptar për shpenzimet e realizuara në kuadër të skemës IPARD II të mbështetjes në bujqësi.
Në fjalën e mbajtur në Kuvendin e Shqipërisë, ministrja Frida Krifca u shpreh se ngrirja e përkohshme e fondeve në pritje të përfundimeve të hetimit është një praktikë normale e Bashkimit Europian e se Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural mirëpret rekomandimet finale për të vendosur për një kurs aksioni.
Por, cila është e vërteta dhe çfarë po ndodh konkretisht me OLAF në Shqipëri e në të tjera vende të rajonit?
Gjysma e hetimeve të nisura në rajonin tonë i përket Maqedonisë së Veriut. Në pesë vitet e fundit, 18 hetime për shpërdorim apo keqpërdorim të fondeve europiane janë hapur ndaj Shkupit zyrtar. Deri në këtë moment, OLAF i ka paraqitur institucioneve europiane dhe atyre maqedonase shtatë rekomandime.
E dyta në nivel rajonal është Serbia, me nëntë hetime dhe katër rekomandime deri tani.
Në Bosnjë-Hercegovinë u hapën tre hetime dhe u depozituan dy rekomandime.
Në Kosovë u inicuan tre hetime e një rekomandim.
Në Shqipëri janë hapur dy hetime, përfshirë i vitit 2021 për fondet në bujqësi, ndërsa në Malin e Zi, një hetim.
Rekomandimet e OLAF janë të shumëllojshme. Një hetim mund të mbyllet pa fajtorë, siç mund të mbyllet dhe me kërkesën për rikthimin e pjesshëm apo të plotë të zërave të dyshuar të abuzuar të fondeve europiane.
Në rastet kur verifikohen abuzime, dosjet i ofrohen agjensive ligjzbatuese në vendet përkatëse. Ato duhet të vendosin mbi përgjegjësitë objektive apo penale të zyrtarëve të përfshirë. Gjithashtu, përvoja e vendeve të anëtarësuara përpara Shqipërisë, tregon se ekziston një korrelacion i qartë mes avancimit të kandidaturës europiane të një vendi dhe hetimeve të nisura. Një korrelacion i tillë është i logjikshëm duke vlerësuar faktin se zakonisht, sa më pranë anëtarësimit shkon një vend, aq më shumë rriten fondet europiane e rrjedhimisht, zgjerohet mundësia për abuzime.
Në nivel europian, rekordin për hetime të nisura e mban Italia. Po ashtu, Hungaria e Polonia kryesojnë listën për hetime në lidhje me shpërdorime apo parregullsi të fondeve të alokuara për bujqësinë. Në total, në pesë vitet e fundit, Zyra Europiane e Hetimit OLAF ka hapur 131 hetime për shpërdorime apo parregullsi të fondeve europiane për bujqësinë.
OLAF është një ndër dy agjencitë europiane që investigon direkt mënyrën si shpenzohen fondet komunitare. E dyta quhet AFCOS (Anti-Fraud Coordination Service Unit in the Handling of EU Financial Resources). Vitin 2022, OLAF e mbylli me 256 investigime. 275 rekomandime për kompensimin e 426 milion eurove të taksapaguesve europianë u dhanë për insitucionet kombëtare e europiane./Top Channel