Në Francën kaotike, Sébastien Lecornu i paraqiti dorëheqjen presidentit Emmanuel Macron, i cili e pranoi sipas njoftimit nga Pallati Élysée. I emëruar më 9 shtator, Lecornu u përball me kritika nga opozita dhe e djathta pasi zbuloi një pjesë të përbërjes së qeverisë së tij, dje në mbrëmje.
Në parlament do të duhej të fliste nesër. Duke dhënë dorëheqjen, 27 ditë pas emërimit, bëhet kryeministri me mandatin më të shkurtër në Republikën e Pestë. Lecornu nuk kishte numrin e duhur të votave për të miratuar projekt-buxhetin në fund të muajit.
Tensionet u përshkallëzuan pas deklaratave të kreut të Partisë Republikane, Bruno Retailleau, i konfirmuar si ministër i Brendshëm, i cili deklaroi se “përbërja e qeverisë nuk pasqyron ndarjen e premtuar”. Kriza shkaktoi gjithashtu reagime të ashpra nga opozita.
Pas njoftimit të dorëheqjes nga Lecornu, Jordan Bardella (RN) i bëri thirrje presidentit Emmanuel Macron të shpërndajë Asamblenë Kombëtare.
Kryeministri në detyrë, padyshim që nuk kishte hapësirë për manovrim, komentoi presidenti i Rassemblement National.
Pas dorëheqjes së Lecornu-së, La France Insoumise deklaroi:
Ne po bëjmë thirrje për shqyrtim të menjëhershëm të mocionit të paraqitur nga 104 deputetë për shkarkimin e Macron-it, shkroi Jean-Luc Mélenchon, kreu i partisë së majtë radikale, në një mesazh të postuar në X.
Në frontin progresiv, Mathilde Panot, presidente e grupit La France Insoumise, tha se “Macron duhet të largohet”, ndërsa socialisti Arthur Delaporte denoncoi “kaosin politik” të shkaktuar nga një qeveri “jetëshkurtër”. Udhëheqësi i partisë presidenciale të Rilindjes dhe ish-kryeministri Gabiel Attal e quajti “spektakël të mjerueshëm” nga e gjithë klasa politike.