Aktualitet

Fredi Beleri në SPAK, një zyrtar i lartë i Athinës zyrtare shkon në Vlorë!

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK ka regjistruar procedim penal për Fredi Belerin, i akuzuar për blerje të votave dhe i arrestuar më 12 maj, dy ditë para zgjedhjeve vendore. Beleri, kandidat i Koalicionit “Bashkë Fitojmë” fitoi më 14 maj me një diferencë të vogël votash kundrejt rivalit socialist, Jorgo Goro.

Nga Prokuroria e Vlorës që drejtoi hetimet deri në arrestimin e Belerit, dosja e tij u përcoll drejt Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion. Ai u arrestua në flagrancë për korrupsion aktiv në zgjedhje, kryer në bashkëpunim.

Fredi Beleri u arrestua në orët e para të datës 12 maj, vetëm 14 minuta pas mesnate për shkak se në bashkëpunim me persona të tjerë, u kap duke premtuar e dhënë shuma monetare personave të ndryshëm, me qëllim blerjen e votës.

Hetimet ndaj tij kishin nisur më 9 maj, pas referimit të rastit nga policia e Vlorës dhe u mbështetën me pamje filmike e përgjime kur një agjent i infiltruar i policisë përgjoi momentin në të cilin bashkëpunëtorët e Fredi Belerit dhanë 40 mijë lekë për 8 vota.

Lajmin e fitores në zgjedhje me një diferencë prej 9 votash, Beleri e priti në qelitë e paraburgimit në Tiranë ku ndodhet me masën e sigurisë “Arrest me burg”, me vendim të Gjykatës Vlorë.  Me kalimin e dosjes në SPAK, pritet që së shpejti të dilet me një tjetër masë sigurie.

Arrestimi i tij solli reagimin e Athinës zyrtare që e cilësoi rastin si “skandaloz” dhe jo në frymën e rrugës europiane të shtetit shqiptar. Tirana zyrtare kërkoi përmbajtje në deklarata ndërsa u shpreh se Greqia nuk duhej të vinte në diskutim vendimet e gjykatave shqiptare.

Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme të Greqisë, Theoharis Lalakos e ambasadorja e Athinës në vendin tonë, Konstantina Kamitsi, sot shkuan në Drejtorinë e Policisë Vlorë për të takuar Fredi Belerin.