Aktualitet

Fredi Beleri zyrtarisht në arrest, u kap duke blerë vota në Himarë!

Publikohet proces-verbali i arrestimit në flagrancë të Fredi Belerit, kandidatit të Koalicionit “Bashkë Fitojmë” në Himarë për zgjedhjet vendore të 14 Majit. Aty thuhet se arrestimi u krye si autor i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje kryer në bashkëpunim”. Sa iu përket rrethanave, bëhet e ditur se 50-vjeçari u kap në flagrancë në Himarë, 14 minuta pas mesnate, në bashkëpunim me persona të tjerë, duke premtuar dhe dhënë shuma monetare personave të ndryshëm, me qëllim blerjen e votës. Në vitin 2003, Beleri ka qenë i dënuar me tre vjet heqje lirie “Për nxitje dhe urrejtje nacionale”.

Kryeministri Rama apeloi që të respektohet pavarësia e plotë e organeve të drejtësisë. Po ashtu, bëri thirrje të priten me durim provat e drejtësisë e të mos nxitohet me përfundime politike:

Ndalimi i kandidatit të opozitës për Himarën F.Beleri me urdhër të prokurorisë përbën një sprovë të madhe për drejtësinë në vigjilje të zgjedhjeve, që do të thotë se shkelja e ligjit nga ana e tij duhet të jetë e provuar dhe ndalimi i tij ligjërisht i motivuar!

Beteja jonë me atë kandidat nuk ka asnjë lidhje me hetimet apo përfundimet e prokurorisë, prandaj duke respektuar pavarësinë e plotë të organeve të drejtësisë, i bëj thirrje të gjithëve të mos nxitohen me konkluzione politike po të presin me durim fjalën dhe provat drejtësisë.

Në një reagim për ndalimin e kandidatit të koalicionit që drejton “Bashkë Fitojmë” në Himarë, Fredi Beleri, Ilir Meta, kryetari i Partisë së Lirisë kërkon që qytetarët dhe strukturat opozitare në Himarë, të fuqizojnë fushatën.

Pjesëmarrje, pjesëmarrje dhe vetëm pjesëmarrje! Ky është ilaçi ndaj një Kryeministri dhe një regjimi, që po jep shpirt dhe të tmerruar nga vota e lirë.

Ndërsa SPAK nuk vepron ndaj dhjetëra Kryetarëve të Bashkive, që shkelin ligjin dhe vërtetohen si fajtorë, pas sulmeve të paramenduara dhe të inskenuara të Kryeministrit delinkuent, rrëmbehet pas mesnate në mënyrë mafioze Kandidati për Kryetar i Bashkisë në Himarë.

Të gjithë qytetarët dhe strukturat opozitare në Himarë të jenë në këmbë, të fuqizojnë në maksimum fushatën dhe të intensifikojnë kontaktet me zgjedhësit për të votuar masivisht dhe për t’i dhënë goditjen përfundimtare Kryeministrit, grabitësit dhe shkatërruesit më të madh për qëllime mafioze të pronave në Himarë dhe gjithë bregdetit të Jugut nga Vlora deri në Ksamil.