Fshati italian Punta Marina është ndarë në dy pjesë për shkak të pallonjve që enden lirisht në zone, të cilët po nxisin kështu një “luftë civile”. Shumë banorë i konsiderojnë ata një simbol të zonës dhe të tjerë protestojnë për britmat e forta dhe dëmet që shpendët shkaktojnë. Çështja u raportua në televizionin publik italian Rai 1 dhe në emisionin “Vita in Diretta”.
Nga njëra anë janë ata që i konsiderojnë pallonjtë një simbol të fshatit dhe një pjesë integrale të identitetit lokal, ndërsa nga ana tjetër janë banorët që ankohen për britmat e tyre të forta natën, si dhe për dëmtimin e kopshteve dhe oborreve.
“Nuk na lënë të flemë”, thonë ata që i kërkojnë bashkisë të ndërmarrë veprime për t’i ndalur shpendët. Sipas raportit, bashkia po shqyrton madje mundësinë e zhvendosjes së zogjve për arsye pastërtie dhe higjiene publike, ndërsa organizatat për mirëqenien e kafshëve dhe banorët po kërkojnë që ata të qëndrojnë në zonë dhe të gjendet një mënyrë për bashkëjetesë harmonike.