Aktualitet

Fund arratisë, kapet vrasësi i qiradhënësit në Shkodër!

U arrestua pas 21 orësh ndjekje nga policia, Lekë Vuksani, 34-vjeçari i dyshuar si vrasësi i Petrit Vuksanit mesditën e djeshme në Shkodër. Blutë gjetën e sekuestruan një armë zjarri automatik, me të cilën dyshohet se kreu krimin.  51-vjeçari u ekzekutua në shtëpinë e tij në lagjen “Skënderbeg”, ndërsa kishte pak kohë i kthyer nga Italia.

Shkaku i ngjarjes mes të dy personave nga Dukagjini, me të njëjtin mbiemër, por pa lidhje familjare mes tyre, dyshohet se është një konflikt për paratë e qirasë. Petrit Vuksani i kërkoi autorit të dyshuar shumën e disa muajve, e t’i lironte banesën, por ky i fundit debatoi duke refuzuar.

Pas konfliktit të vazhdueshëm, Lekë Vuksani u largua nga shtëpia, duke u rikthyer me një armë zjarri me të cilën e qëlloi për vdekje. Policia Shkodër vijon punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes. Po ashtu, 34-vjeçarit iu sekuestrua automatiku që përdori për të kryer vrasjen e 51-vjeçarit.

Në njoftimin zyrtar thuhet:

Pas 21 orësh kërkime dhe ndjekje, lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar i vrasjes së kryer mesditën e djeshme, në lagjen “Tom Kola”. Gjendet dhe sekuestrohet arma e zjarrit automatik me të cilën dyshohet se u krye vrasja.

34-vjeçari u lokalizua në një banesë në rrugën “Pjetër Budi”, Shkodër, ku ishte strehuar pasi kishte kërcënuar pronaren e kësaj banese. Strukturat operacionale të DVP Shkodër dhe ato të Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Forcën Speciale RENEA, pasi 21 orësh, si rezultat i kërkimeve dhe ndjekjes së pandërprerë policore, me mbështetjen e informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative, kanë bërë të mundur lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasit L. V., 34 vjeç, banues në Shkodër.

34-vjeçari u lokalizua në banesën e një shtetaseje, në rrugën “Pjetër Budi”, Shkodër, banesë në të cilën kishte mundur të strehohej pasi gjatë natës kishte kërcënuar pronaren e kësaj banese për t’i hapur derën dhe për të mos kallëzuar.

Gjithashtu, në të njëjtën banesë, u gjet edhe arma e zjarrit automatik me të cilën dyshohet se autori kreu vrasjen. Shtetasi L. V. dyshohet se rreth orës 12:15, të ditës së djeshme, në lagjen “Tom Kola”, vrau me armë zjarri automatik, në banesë, shtetasin P. V., 51 vjeç. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.