Aktualitet Bota

Funerali i Papa Françeskut, kardinali Re: Ai na nxiti të ndërtojmë ura, jo mure!

Varrimi i Papa Françeskut filloi në orën 10:08. I mbajtur mbi supe, arkivoli përshkoi sheshin Shën Pjetër, i pritur nga duartrokitje dhe u vendos Ungjilli. Sipas Zyrës së Shtypit të Vatikanit, gjithsej 200 mijë besimtarë marrin pjesë në funeralin e Papës në sheshin Shën Pjetër e në rrugët përreth. Kryesuesi i ceremonisë, Dekani i Kolegjit të Kardinalëve, Giovanni Battista Re, tha se “Imazhi i Papës në Pashkë do të mbetet në sytë e zemrat tona”.

Papa Françesku ka bërë gjeste dhe nxitje të panumërta në favor të refugjatëve dhe personave të zhvendosur. Eshtë domethënëse që udhëtimi i tij i parë ishte në Lampedusa, një ishull simbol i tragjedisë së emigrimit me mijëra njerëz të mbytur në det. Ai ishte një Papë mes njerëzve me zemër të hapur për të gjithë.

Përballë tërbimit të luftërave të shumta të këtyre viteve, me tmerret çnjerëzore dhe me vdekje e shkatërrime të panumërta, Papa Françesku ka ngritur vazhdimisht zërin duke u lutur për paqen dhe duke ftuar arsyen, duke ftuar negociata të ndershme për gjetjen e zgjidhjeve të mundshme, sepse lufta, tha ai “është vetëm vdekja e njerëzve, shkatërrimi i shtëpive, spitaleve dhe shkollave”.

Lufta gjithmonë e lë botën më keq se më parë: për të gjithë është gjithmonë një disfatë e dhimbshme dhe tragjike. “Ndërtoni ura dhe jo mure” është një nxitje që ai e përsëriti shumë herë dhe shërbimi i besimit si Pasardhës i Apostullit Pjetër ka qenë gjithmonë i lidhur me shërbimin e njeriut në të gjitha dimensionet e tij.

Në bashkim shpirtëror me gjithë krishterimin, ne jemi këtu në numër të madh për t’u lutur për Papa Françeskun, që Zoti ta mirëpresë atë në pafundësinë e dashurisë së tij. Papa Françesku i mbyllte fjalimet dhe madje takimet e tij personale duke thënë: “Mos harroni të luteni për mua”.

Tani i dashur Papa Françesku, ju kërkojmë të luteni për ne dhe që nga qielli të bekoni Kishën, të bekoni Romën, të bekoni gjithë botën, siç bëtë të dielën e kaluar nga ballkoni i kësaj Bazilike në një përqafim përfundimtar me të gjithë njerëzit e Zotit, por idealisht edhe me njerëzimin që e kërkon të vërtetën me zemër të sinqertë dhe mban lart pishtarin e shpresës.

Duartrokitje të gjata përshëndetën fjalët e kardinalit Re për angazhimin e Bergoglio-s për paqen dhe emigrantët.