Papa Françesku gjatë gjithë jetës së tij ruajti një lidhje të thellë shpirtërore me Shën Terezën e Lisieux, të cilën e shihte si ndërmjetëse për hiret dhe një burim force për të përballuar sfidat.
Në rrëfimet e tij, Papa tregonte se sa herë përballej me ndonjë vështirësi, nuk i lutej shenjtes për ta zgjidhur problemin, por për t’i dhënë fuqi që ta pranonte me besim.
Shenja që merrte gjithmonë si përgjigje ishte një trëndafil i bardhë, simbol i qetësisë dhe besimit të tij në ndërhyrjen e shenjtë.
Ky detaj i vogël, por i ngarkuar me domethënie të thellë, e shoqëroi Papën edhe pas ndarjes nga jeta: një trëndafil i bardhë u vendos mbi varrin e tij në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe, si dëshmi e dashurisë dhe përkushtimit që ai kishte ndaj Shën Terezës.
Tradita e trëndafilit të bardhë nisi që në kohën kur Papa Françesku shërbente si kryeipeshkëv i Buenos Ajresit dhe vazhdoi edhe gjatë papnisë së tij, në momente kyçe si lutjet për paqe në Siri në vitin 2013 dhe pas shtrimit të tij në spital, ku mori sërish një trëndafil të bardhë si shenjë mbështetjeje.