Aktualitet

Gara për kreun e SPAK-ut, KLP-ja miraton katër kandidatë!

Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP), sot miratoi listën e kandidatëve që plotësojnë kushtet ligjore të kandidimit për drejtues në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK.

Konkretisht, KLP-ja miratoi emrat e Adnan Xholit, Klodian Brahos, Doloreza Musabelliut dhe Elvin Gokajt, të gjithë prokurorë aktualë të SPAK-ut.

Vendimi u mor me 10 vota pro të anëtarëve të KLP-së, ndërsa anëtari Zeqir Hoda mungoi në votim për këtë çështje.

Pas verifikimit të kushteve ligjore dhe dokumentacionit, kandidatët do të ftohen për t’u intervistuar publikisht nga KLP-ja.

Ky proces vjen në prag të përfundimit të mandatit 3-vjeçar të Altin Dumanit më 18 dhjetor. Dumani është drejtuesi i dytë i SPAK-ut që nga krijimi i institucionit, pas Arben Krajës.

Tetë prokurorët e SPAK kanë një mandat 9-vjeçar, ndërsa mandati i kreut të SPAK është 3 vjet pa të drejtë rizgjedhjeje.

Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të organizuar dhe Korrupsionit u krijua më datë 19 dhjetor 2019, si një nga institucionet e reja të Reformës në Drejtësi.