Politikë

Salianji apelon përjashtimin e tij nga gara në PD: Gati të përballem me Berishën!

Ish-deputeti i PD, Ervin Salianji ka depozituar kërkesë zyrtare pranë Kryesisë së Partia Demokratike dhe Komisionit të Apelimit dhe Vlerësimit të Statutit, ku kërkon shpalljen të pavlefshëm të vendimit për përjashtimin e tij nga gara për kryetar dhe përjashtimin e tij si anëtar Kryesie.

Salianji pretendon se kandidatura e tij për kryetar të PD-së është penguar në mënyrë të paligjshme, duke deklaruar se dokumentacioni i dorëzuar fizikisht, me postë dhe email, nuk është marrë në shqyrtim. Ai kundërshton gjithashtu pretendimet për përjashtimin e tij nga anëtarësia dhe kërkon që çdo vendim i tillë, nëse ekziston, t’i vihet në dispozicion për ndjekjen e procedurave statutore.

Në kërkesë, Salianji ngre edhe pretendime për mospërputhje statutore në kandidimin e Berishës për kreun e PD-së, por thekson se është i gatshëm të përballet me të në garë se kush do të jetë kreu i ri i PD.

“Në demokraci nuk ke mundësi të zgjedhësh kundërshtarin dhe ndaj për mua nuk përbën asnjë problem që kandidat të jetë Sali Berisha dhe për këtë arsye nuk kam asnjë kërkesë proçeduriale për ta përjashtuar atë nga gara, ai të jetë në garë bashkë me aletain e tij Edi Rama, bashkë me vërtësit e tij, bashkë me komisionerët e tij si dhe bashkë me bashkëpuntorët e tij në krimin e organizuar dhe unë do ti jem përball bashkë me demokratët në një betejë të vërtet elektorale”, shprehet Salianji.

PD planifikon të organizojë më 23 maj procesin zgjedhor për kreun e ri të saj, me një kandidat të vetëm që është Sali Berisha.

Kërkesat e Salianjit:

-Konstatimin e pavlefshmërirë së veprimit juridik (i ndërmarrë me veprime konkludente) të ndërmarrë nga ana e Kryesisë apo organeve të tjera kolegjiale të Partisë Demokratike për marrjen e masës disiplinore të “Përjashtimit” të Anëtarit të Kryesisë Ervin Salianji nga Partia Demokratike e Shqipërisë.

-Konstatmin e pavlefshmërisë së Vendimit me Nr.120 datë 01.05.2026 të KOMISIONIT TË ORGANIZIMIT DHE KONTROLLIT TË OPERACIONEVE ELEKTORALE.

-Shqyrtimin e përputhshmërisë me statutin të Vendimit… (pa datë dhe pa numër) të Kryesisë së PDSH-së të “Përjashtimit” të Anëtarit të Kryesisë Ervin Salianji nga Partia Demokratike e Shqipërisë.