Bota

Britani e Madhe, kryeministri Starmer për zgjedhjet e ardhshme e afrimin me BE-në!

Përballja me krizën e kostos së jetesës dhe forcimi i lidhjeve me Bashkimin Evropian pritet të jenë në qendër të mbrojtjes së pozicionit të Keir Starmer-it si kryeministër i Britanisë së Madhe, siç raporton BBC.

Gazetës “Mirror”, Starmer i tha se synon të udhëheqë Partinë Laburiste në zgjedhjet e ardhshme dhe të shërbejë një mandat të plotë, duke vazhduar atë që ai e quan “projekt 10-vjeçar rinovimi”.

Kjo përfshin një plan për një ekonomi më të fortë, që funksionon realisht për të gjithë. Do të jem i drejtpërdrejtë dhe i zëshëm për nevojën e afrimit të mëtejshëm me Brukselin.

Starmer theksoi se të rinjtë “duhet të jenë të lirë të punojnë, studiojnë e të udhëtojnë në vendet evropiane”.

Më herët, ai emëroi ish-figura të larta të Laburistëve, Gordon Brown e Harriet Harman, në role këshillimore, një lëvizje kjo që një ministër e cilësoi “shaka”.

Megjithatë, Starmer i mbrojti këto emërime, duke i përshkruar si të orientuara drejt së ardhmes dhe të fokusuara në financat globale e luftën kundër misogjinisë.

Nesër, shefi i qeverisë së Londrës pritet të mbajë një fjalim të rëndësishëm mbi marrëdhëniet e Britanisë së Madhe me BE-në, ndërsa të mërkurën, qeveria do të paraqesë legjislacionin e planifikuar në Fjalimin e Mbretit.

Ndërkohë, Starmer përballet me presion politik brenda partisë, pasi deputetja laburiste, Catherine West i ka vendosur një afat deri nesër kabinetit, për të ndërmarrë hapa ndaj lidershipit të tij, ose përndryshe do të tentojë vetë të nxisë një garë për drejtimin e partisë.

Në një intervistë për BBC-në, West tha se preferon që kabineti të propozojë “komunikuesin më të mirë” si zëvendësues të Starmer-it, për të shmangur një garë të plotë lidershipi.

Nëse kjo nuk ndodh deri të hënën, unë do të kërkoj mbështetjen e 81 deputetëve laburistë, numri i nevojshëm për të hapur një sfidë ndaj liderit të partisë.

West tha se tashmë ka mbështetjen e 10 deputetëve, por është e bindur se do të sigurojë numrin e nevojshëm për të nisur një garë.

Ajo po flet me të tjera figura politike, ndërsa po intensifikohet debati mbi lidershipin e Starmer-it dhe drejtimin e ardhshëm të Laburistëve.