Genar Topalli ka reaguar në rrjete sociale pas aludimeve të shumta në media për koston e dasmës së tij me moderatoren sportive Cindy Marina, e organizuar më 13 shtator në Romë.
Ai theksoi se e gjithë ceremonia është financuar nga ai, bashkëshortja dhe prindërit e saj, të cilët prej vitesh jetojnë e punojnë në Shtetet e Bashkuara, ku drejtojnë biznese në fushën e transportit dhe sportit.
Në reagimin e tij, Topalli sqaroi se dasma nuk ka arritur shifra të jashtëzakonshme:
Ceremonia u zhvillua në Bazilikën e Shën Marisë, te Altari i Qiejve – një bekim shpirtëror që nuk ka pagesë, përveç një donacioni simbolik. Ndërsa darka u mbajt në një ambient në Romë, me kosto që nuk tejkalon shpenzimet e zakonshme të një dasme shqiptare.
Ai shtoi se çdo gjë u mendua, u organizua dhe u financua nga çifti dhe prindërit e Cindy Marina-s, të cilët prej rreth 30 vitesh kanë ndërtuar biznese të suksesshme në SHBA, me mbi 150 të punësuar.
Cindy vetë, përveç angazhimeve të tjera, menaxhon një nga klubet më të mëdha të volejbollit në Kaliforninë Jugore.
Ky sqarim bëhet vetëm për të shmangur çdo keqkuptim dhe për të hedhur poshtë komentet me shifra të pavërteta e spekulative
-shkroi ai, duke falënderuar të gjithë ata që uruan çiftin në ditën e tyre të shenjtë.