Partnerja e Cristiano Ronaldos, Georgina Rodriguez bëri debutimin e saj në Met Gala të New York-ut dhe dukej mahnitëse. Ajo u shfaq me një fustan elegant të zi me dekolte dhe me dantellë në pjesën e kraharorit. Për shumë nga kritikët e modës, fustani ngjante me një veshje intime për natë por në fakt, fustani ishte frymëzuar nga Princeshë Diana.
Fustani i gjatë i kujtonte shumë stilin e fustanit-slip të dizajnuar nga John Galliano, të cilin princesha e kishte veshur në Met Gala-n e vitit 1996, hera e parë dhe e fundit që ajo mori pjesë në këtë ngjarje të famshme të modës, përpara se të ndërronte jetë në moshën 36-vjeçare, në vitin 1997. Drejtori kreativ i markës Vetements, Guram Gvasalia, tha se për krijimin e këtij fustani, ai preu dhe kombinoi 10 xhaketa dhe pallto të qepura me porosi.
“Pasi i ndamë, i bashkuam të gjitha në një fustan mbrëmjeje të vetëm, të qepur tërësisht me dorë, duke i dhënë trajtimin e vërtetë të Vetements Couture. Veshjet arketipale mashkullore u riformësuan në një siluetë sensuale dhe të personalizuar. Desha t’i jepja Georginës atë moment princeshe. Ajo është Princesha e Popullit e ditëve tona dhe Mbretëresha e Zemrave të Njerëzve. Jo çdo fustan ka nevojë të jetë një përrallë, por ky është i tillë”-shtoi stilisti.
Georgina ka ndezur sërish spekulimet për një martesë të mundshme, pasi ka publikuar në rrjetet sociale një foto ku tregon një unazë mahnitëse. Georgina dhe Ronaldo janë bashkë që prej vitit 2016 dhe kanë ndërtuar një familje së bashku, me dy vajzat e tyre, Alana dhe Bella. Edhe pse futbollisti portugez i është referuar më parë Georginës si “gruaja” e tij, çifti ende nuk është kurorëzuar zyrtarisht.