Partnerja e Cristiano Ronaldos, Georgina Rodriguez, ishte një nga të ftuarat që parakaluan në tapetin e kuq të Met Gala 2025, një prej ngjarjeve më të rëndësishme në botën e modës ndërkombëtare.

Tema e këtij viti, “Superfine: Tailoring Black Style”, i kushtohej historisë së modës së meshkujve afroamerikanë nga shekulli i 18-të deri në ditët e sotme, me kodin e veshjes “Tailored for You”, që kërkonte një qasje kreative dhe personale ndaj stilit maskulin.
Për këtë rast, Georgina zgjodhi një fustan të zi slip nga shtëpia e modës “Vetements”, me një prerje të theksuar anësore.
Ajo e kompletoi pamjen me këpucë elegante dhe aksesorë minimalë, duke zgjedhur një stil të thjeshtë por të rafinuar.
Megjithatë, paraqitja e saj nuk u mirëprit nga publiku dhe kritikët e modës, të cilët e cilësuan si një nga më të dobëtat e mbrëmjes.
Komentet në rrjetet sociale nuk munguan: “Georgina nuk është munduar fare”, “Duket si një pizhamë”, “Ka humbur krejtësisht temën”, ishin disa prej reagimeve që qarkulluan menjëherë pas shfaqjes së saj.
Pavarësisht kritikave, Georgina vazhdon të mbetet në qendër të vëmendjes.
Vetëm pak ditë para Met Gala-s, ajo u fotografua në New York me një veshje provokuese: një fustan të shkurtër dhe një “body” të zi poshtë tij, duke tërhequr sërish vëmendjen e mediave dhe publikut.
Edhe pse moda është subjektive, një gjë është e qartë — Georgina di gjithmonë si të bëjë zhurmë dhe të tërheqë sytë e botës drejt vetes.