Aktualitet Bota

Gjadri, qeveria italiane reagon pas vendimit të Gjykatës Europiane: Ndërhyrje e papranueshme!

Vendimi i Gjykatës Europiane të Drejtësisë për të vënë theksin mbi nevojën për kontroll gjyqësor efektiv në përcaktimin e “vendeve të sigurta të origjinës” solli reagime të forta nga qeveria italiane. Në një deklaratë zyrtare të publikuar nga Palazzo Chigi e të shpërndarë në rrjetet sociale nga kryeministrja Giorgia Meloni, vendimi cilësohet si një tjetër shembull i “uzurpimit të kompetencave politike nga ana e drejtësisë europiane”.

Sërish gjyqësori, kësaj here ai europian, pretendon hapësira që nuk i përkasin, për çështje që janë ekskluzivisht politike. Gjykata e BE-së i jep fuqi një gjyqtari të thjeshtë kombëtar për të vendosur jo mbi një rast të veçantë, por mbi një segment të tërë të politikës së emigracionit, siç është lista e vendeve të sigurta.

Sipas ekzekutivit italian, vendimi përbën një kërcënim serioz ndaj kapacitetit të shteteve për të menaxhuar emigracionin, duke u bazuar në një interpretim juridik që “nuk merr parasysh realitetin e presionit migrator”.

Vendimi dobëson politikat e kontrollit të emigracionit të paligjshëm në masë dhe mbrojtjes së kufijve kombëtarë, duke e quajtur të papranueshme që një vendim i tillë të mbështetet madje edhe mbi burime private, në vend të analizave të plota të bëra nga ministritë përkatëse e të miratuara nga Parlamenti.

Vendimi i Gjykatës vjen pas ankesës së paraqitur nga Gjykata e Romës, në lidhje me dy azilkërkues nga Bangladeshi, të cilët u dërguan në një qendër pritjeje në Shqipëri, në kuadër të marrëveshjes së firmosur mes Italisë e Shqipërisë për trajtimin e emigrantëve jashtë territorit italian.

Azilkërkuesit u përfshinë në një procedurë të përshpejtuar dhe u refuzuan, me argumentin se Bangladeshi është shpallur “vend i sigurt”. Gjykata e BE vendosi se ky përcaktim nuk mund të mbështetet vetëm në një ligj të miratuar nga qeveria, nëse mungojnë të dhëna të verifikueshme, të aksesueshme e të kontrollueshme nga gjyqësori.

Në reagimin e saj, qeveria lë të kuptohet se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga linja e ndjekur deri më tani.

Për 10 muajt që na ndajnë nga hyrja në fuqi e Paktit të ri Europian për Migracionin dhe Azilin, qeveria nuk do të ndalet së kërkuari çdo zgjidhje teknike e ligjore për të mbrojtur sigurinë e qytetarëve italianë.

Qeveria e konsideron “të çuditshme” që një vendim me një ndikim të tillë të merret “pikërisht në prag të hyrjes në fuqi të rregullave të reja të BE-së, të cilat vetë përcaktojnë kritere më të rrepta për identifikimin e vendeve të sigurta”.