Turizmi ka shfaqur shenja gjallërimi në muajin gusht, pas një pjese të parë të vitit që nuk ishte shumë premtuese. Të dhënat e publikuara nga INSTAT-i bënë të ditur se në gusht në vend hynë 2.38 milion shtetas të huaj, me një rritje prej 9.9% në krahasim me të njëjtin muaj të një viti më parë. Kjo është norma më e lartë e rritjes që nga janari, ndërsa në korrik, hyrjet e shtetasve të huaj ishin rritur vetëm me 0.39%.
Operatorët kishin pohuar se shtrenjtimi i çmimeve dhe problemet me infrastrukturën po ndikonin negativisht në ecurinë e turizmit në vend. Megjithatë ata prisnin që gushti të shënonte kulmin e flukseve të turistëve në vend. Pritshmëritë janë pozitive edhe për sezonin e vjeshtës, pasi sezoni turistik po zgjerohet përtej muajve të nxehtë dhe ka shumë turistë që po vijnë përmes tureve kulturore, duke vizituar qytete të ndryshme të vendit.
Për periudhën janar-gusht në vend kanë hyrë gati 9 milion shtetas të huaj, duke u rritur me 5.2% me bazë vjetore. Ritmi është ngadalësuar ndjeshëm në krahasim me vitin e mëparshëm, kur për të njëjtën periudhë zgjerimi ishte 18.6%.
Edhe daljet e shqiptarëve jashtë vendit janë rritur. Sipas INSTAT-it, gati 1 milion shtetas shqiptarë dolën nga vendi, me një rritje prej rreth 10%. Këtë vit, shtetasit shqiptarë kanë preferuar për pushime shtetet fqinjë, kryesisht Greqinë, pas shtrenjtimit të turizmit në vend.
INSTAT-i raportoi se gjatë muajit gusht 2025, rezultojnë të kenë hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë, 3.368.104 shtetas shqiptarë dhe të huaj. Ky tregues ka pësuar një rritje me 8,4 %, krahasuar me gushtin 2024. 3.335.824 shtetas shqiptarë dhe të huaj rezultojnë të kenë dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë, duke shënuar një rritje me 12,1 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në gusht 2025, numri i shtetasve shqiptarë që kanë hyrë në territorin shqiptar është 986.240, duke pësuar një rritje me 5,1 %, krahasuar me gushtin 2024.
Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 2.381.864. Ky numër është rritur me 9,9 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në muajin gusht 2025, 994.573 shtetas shqiptarë numërohen të kenë dalë nga territori i Shqipërisë, duke shënuar rritje me 10,3%, krahasuar me gushtin 2024.
Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit gusht 2025, janë 2.341.251. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ky tregues është rritur me 12,8 %. Në gusht 2025, 97% e hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri janë nga rajoni i Europës.
Europa Jugore zë 77% të hyrjeve të shtetasve të huaj nga kontinenti europian, ndjekur nga Europa Perëndimore me 9% dhe Europa Qendrore/Lindore me 8%.
Qëllimi i hyrjes në territorin shqiptar i shtetasve të huaj, në 99% të rasteve është për qëllime personale. Në gusht 2025, ky tregues ka shënuar një rritje me 9,8 %, krahasuar me gushtin 2024. Hyrjet e shtetasve të huaj për qëllime biznesi dhe profesionale janë rritur me 23,3%./Monitor