Health & Beauty Lifestyle

Gjithçka që duhet të dini për lodhjen pranverore dhe si ta ‘luftoni’ atë…

Me fillimin e pranverës shumica e njerëzve ndihen më të lodhur se në periudhat e tjera të vitit. Lodhja e pranverës lind si një reagim i organizmit ndaj luhatjeve të temperaturës dhe presionit si dhe ndaj ndryshimeve në kohëzgjatjen e dritës së diellit. Një organizëm i ri dhe i shëndetshëm zakonisht përshtatet me ndryshimet më lehtë sesa organizmi i njerëzve të moshës së mesme dhe të moshuar. E ashtuquajtura lodhje pranverore shfaqet në një masë më të madhe tek njerëzit e ndjeshëm ndaj klimës, njerëzit me presion të ulët të gjakut ose të moshuarit.

Ndër simptomat më të zakonshme gjejmë ndjenjën e lodhjes së tepërt, përgjumjes, vështirësisë në gjumë, mungesë përqendrimi dhe dhimbje koke. Lodhja pranverore është e përkohshme dhe zakonisht largohet ndërsa trupi përshtatet me ndryshimet e jashtme. Zakonisht zgjat 1 deri në 3 javë, nëse vazhdon më shumë mund të jetë sëmundje dhe këshillohet që të konsultoheni me mjekun.

Ndjekja e një diete të shëndetshme dhe të larmishme të pasur me vitamina dhe minerale ndihmon shumë për të luftuar lodhjen pranverore. Një konsum më i lartë i frutave dhe perimeve të freskëta rrit mbrojtjen e trupit dhe për këtë arsye mbrojnë kundër lodhjes së pranverës. Dieta për të luftuar lodhjen pranverore duhet të përfshijë gjithashtu produkte me drithëra të plota, të tilla si buka e thekrës dhe orizi kafë. Pini më shumë ujë. Ky hap është thelbësor, dehidratimi mund të shkaktojë lodhje të tepruar dhe dhimbje koke.