Organizata iraniane Gjysmëhëna e Kuqe njoftoi sot se 555 persona janë vrarë në sulmet e përbashkëta të SHBA-ve e Izraelit kundër Iranit. Sipas një raporti, 131 qytete janë përfshirë nga sulmet që nga dita e parë e tyre më 28 shkurt.
Gjysmëhëna e Kuqe shtoi se operacionet e shpëtimit, ndihmës, transportit dhe shërbimeve mjekësore janë duke vazhduar.

Në një tjetër zhvillim, presidenti i Qipros, Nikos Christodoulides, ndau më shumë detaje për sulmin me dron në një bazë ushtarake të Britanisë së Madhe, në territorin britanik në Qipron jugore.
Menjëherë pas mesnatës, një mjet ajror pa pilot – Shahed u rrëzua mbi objektet ushtarake të Mbretërisë së Bashkuar në Akrotiri, duke shkaktuar dëme të vogla materiale, shkroi Christodoulides në X.
Shahed është dron iranian.

Presidenti Christodoulides tha se është “në kontakt të vazhdueshëm” me udhëheqësit e Europës dhe ata të vendeve të tjera.
Qipro nuk e ka ndërmend të jetë pjesë e ndonjë operacioni ushtarak.
Reagimi vjen pas deklaratës së fundit nga Ministria britanike e Mbrojtjes, që njoftoi se po zhvendos familjarët e personelit nga baza e Akrotirit.