Aktualitet

Goditen raste të këmbimit valutor pa licencë, 2 nën hetim në Tiranë!

Dy raste të ushtrimit të këmbimit valutor pa licencë u goditën në Tiranë, ndërsa dy persona u vunë nën hetim. Gjatë kontrolleve në terren, në zonën e njohur si “Dollari”, u konstatuan dy vetë që ushtronin aktivitet të paligjshëm të këmbimit valutor në rrugë, duke përdorur shuma të konsiderueshme parash me burim të dyshimtë.

Në njoftimin policor zyrtar thuhet se si rezultat i ndërhyrjes, u proceduan penalisht shtetasit me iniciale S.E. dhe K.F., ndaj të cilëve rëndojnë akuzat për “Ushtrim pa licencë të veprimtarive financiare” e “Pastrim të produkteve të veprës penale”.

Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale, blutë sekuestruan 24 mijë e 120 euro, 13 mijë e 200 dollarë kanadezë dhe 470 mijë lekë.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme, ndërsa vijojnë kontrollet dhe verifikimet në kuadër të këtij plani.