Gjykata e Korçës la në fuqi arrestin në flagrancë duke caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për Violand Braçellarin, i dyshuar si autor i vrasjes së efektivit të Policisë së Shtetit, Enea Mekolli dhe plagosjes së efektivit tjetër, Edison Adri, gjatë një operacioni policor në Lozhan të Maliqit.
Vendimi u shpall sot në mjediset e Spitalit Universitar të Traumës në Tiranë, ku ndodhet i shtruar 43 vjeçari pasi mbeti i plagosur.
Braçellari akuzohet për veprat penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, mbetur në tentativë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, si dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.
Në Lozhan, gjashtë efektivë të forcës “Shqiponja” ishin angazhuar në një operacion për kapjen e të shumëkërkuarit, i cili fshihej në një stan.
Sipas hetimeve paraprake, gjatë ndërhyrjes policore, Braçellari hapi zjarr ndaj efektivëve, duke vrarë Enea Mekollin dhe plagosi Edison Adrin. I rënë në krye të detyrës, më 4 qershor, Mekolli u shpall “Dëshmor i Atdheut”. Me dëshirën e familjes, prehet në vendlindje e jo në Varrezat e Dëshmorëve.
Gjatë homazheve, xhaxhai i tij iu drejtua presidentit Bajram Begaj:
Bëhuni të zotët e vendit se na fundosët të gjallë, na është mbyllur dera e shtëpisë!