Asistenti i Google, Gemini AI, tani ka një modalitet “mësim i udhëhequr”, i cili synon të ndihmojë përdoruesit që të kuptojnë vërtet atë që po përpiqen të mësojnë, në vend që thjesht të marrin një përgjigje. “Mësimi i udhëhequr “funksionon si një shok mësimi”, i cili udhëheq përdoruesin “me pyetje dhe mbështetje hap pas hapi”-tha CEO-ja Sundar Pichai. Përgjigjet nga modaliteti i mësimit të udhëhequr mund të përfshijnë fotografi, video dhe kuize interaktive. “Kompania ka bashkëpunuar me studentë, edukatorë, studiues dhe ekspertë të mësimit për të siguruar që modaliteti “është i dobishëm për kuptimin e koncepteve të reja dhe është mbështetur në shkencën e mësimit,”-shtoi Pichai.
Kompani të teknologjisë së inteligjencës artificiale po hyjnë gjithnjë e më shumë në fushën e arsimit, ndoshta pjesërisht për t’u përpjekur të luftojnë reputacionin që kanë marrë mjetet e AI-së, të cilat akuzohen se ndihmojnë studentët të kopjojnë. Funksione si modaliteti i mësimit të udhëhequr i Geminit dhe mënyra e ngjashme e mësimit e ChatGPT, e prezantuar javën e kaluar, në teori mund të ndihmojnë në mësim, por mbetet pyetja nëse studentët do të duan t’i përdorin këto mënyra në vend që thjesht të marrin përgjigje nga chatbot-et e AI-së.
Google i ka lejuar studentët nga SHBA, Japonia, Indonezia, Koreja e Jugut dhe Brazili, të cilët janë 18 vjeç e lart, të aplikojnë për Planin AI Pro prej 12 muajsh plotësisht falas deri më 6 tetor të këtij viti. Kompania ka alokuar një miliard dollarë për financimin trevjeçar të arsimit amerikan, duke përfshirë programe të alfabetizimit në fushën e inteligjencës artificiale, financim kërkimor dhe burime kompjuterike në cloud.
Ndërkaq, kanë hyrë në fuqi në Bashkimin Evropian rregulla të reja për transparencën e modeleve të inteligjencës artificiale (AI) me përdorim të përgjithshëm, si ChatGPT dhe Gemini. Sipas këtyre rregullave, zhvilluesit duhet të zbulojnë se si funksionojnë modelet e tyre dhe cilat të dhëna janë përdorur për trajnimin e tyre. Për modelet më të avancuara, të cilat mbartin rreziqe më të mëdha, kërkohet dokumentimi i masave të sigurisë. Këto rregulla forcojnë mbrojtjen e të drejtave të autorit, pasi zhvilluesit detyrohen të deklarojnë burimet e të dhënave që përdorin, përfshirë edhe nëse i kanë mbledhur automatikisht nga interneti.