Bota Tech

Google dështoi t’i paralajmëronte 10 milionë turq për tërmetin e vitit 2023!

Gjiganti Google e pranoi se sistemi i tij i paralajmërimit për tërmete dështoi t’i njoftojë njerëzit në kohën e tërmetit vdekjeprurës në Turqi, në vitin 2023. 10 milion vetëve brenda 157 kilometrave të epiqendrës do të mund t’iu dërgohej alarmi i nivelit më të lartë, pra një paralajmërim 35-sekondësh për të gjetur strehim diku. Si përfundim, vetëm 469 vetë morën këto paralajmërime para tërmetit me magnitudë 7.8 Rihter.

Google i tha BBC-së se gjysmë milion u njohën me paralajmërime të nivelit më të ulët, për “lëkundje të lehta”. Paraprakisht, ky gjigant teknologjik kishte deklaruar se sistemi ka performuar “mirë”. Ky sistem funksionon në pajisjet Android dhe që i përdorin mbi 70% e banorëve të Turqisë.

Më shumë se 55 mijë persona gjetën vdekjen si pasojë e dy tërmeteve të mëdha që goditën juglindjen e Turqisë më 6 shkurt 2023, ndërsa mbi 100 mijë mbetën të plagosur. Shumica e banorëve ishte në gjumë në banesa, në kohën kur nisën dridhjet e tokës.

Sistemi paralajmërues i Google-it ka qenë funksional në ditën e tërmetit, por e nënvlerësoi fuqinë e tërmeteve.

Ky sistem, i quajtur Alarmi i Androidit për Tërmete ka kapacitet t’i detektojë lëvizjet prej një numri telefonash celularë që e kanë sistemin operativ të Androidit. Për shkak se tërmetet lëvizin relativisht ngadalë prej Tokës, paralajmërimi mund të dërgohet disa sekonda më parë.

Paralajmërimi më serioz quhet “Vepro” dhe përcillet me një alarm me zë, duke u shfaqur në gjithë ekranin e telefonit. Supozohet se duhet t’iu dërgohet njerëzve kur detektohen lëvizje të fuqishme që mund të kërcënojnë jetën e njeriut.