Rajoni

Greqi, nuk ndalet aktiviteti sizmik në Santorini!

Santorini po vazhdon të përjetojë valë sizmike gjatë orëve të fundit, me më shumë se 500 lëkundje të regjistruara. Dy tërmete të reja të forta, me magnituda 4.8 dhe 4.7 të shkallës Rihter, u regjistruan brenda një ore, në zonën detare të Amorgos.

Tërmeti 4.8 Rihter, sipas Qendrës Sizmologjike Evropiane-Mesdhetare (EMSC), u shënua në orën 08:11 dhe u ndje veçanërisht. Thellësia vlerësohet në 11.9 kilometra ndërsa epiqendra, 18 km larg Arkesinit, Amorgos.

Pak minuta pas orës 09:00 të mëngjesit, një tjetër tërmet i fortë me magnitudë 4.7 Rihter u regjistrua sërish në Arkesini, në jug të Amorgosit, në thellësinë 14.5 kilometra dhe vendndodhjen e përcaktuar në 17 kilometra.

Në orët e fundit kanë vijuar lëkundjet e tërmeteve në zonën detare mes Amorgosit e Santorinit, me intensitet që ka kaluar 3 të shkallës Rihter, ndërsa herët në mëngjes u regjistruar sërish një lëkundje e fortë, 4.9 Rihter. Epiqendra ishte sërish në zonën detare të Arkesinit në jug të Amorgosit.

Mbrëmjen e së hënës, një tërmet me magnitudë 4.8 ra sërish në jug të Amorgosit, duke shkaktuar shqetësim të madh te banorët e ishujve të Egjeut. Banorët po largohen nga Santorini, me tragete dhe me avionë, duke u shprehur se kanë frikë dhe se do të kthehen në ishull sapo të qetësohet situata e kur të ndihen të sigurt.

Rreth 1 mijë e 200 pasagjerë u nisën në tragetin e mbrëmjes me destinacion Athinën. Gjysmë ore para nisjes së anijes, kishin mbetur vetëm biletat e kabinës. Shumica e banorëve që prej vitesh jetojnë në ishull theksojnë se tërmetet e ditëve të fundit nuk kanë të bëjnë fare me të viteve 2011-2012. Atëherë, nuk ishin kaq të fortë.

Tani janë më të shpeshta dhe më intensive, shprehen banorët.