Masat e reja anti-COVID në Greqi vë në shënjestër personat e pavaksinuar ndaj koronavirusit. Sipas rregullave të reja, punonjësit e pa imunizuar në sektorin privat dhe publik do të duhet t’i nënshtrohen rregullisht testeve, me shpenzimet e tyre, të paktën një herë në javë. Për të frekuentuar shkollat, universitetet por edhe evente të tjera me pjesëmarrje të lartë personash, si turizmi, kateringu, televizioni dhe teatri, të pavaksinuarit do të duhet të bëjnë dy teste në javë. Ministria e shëndetësisë njoftoi se çmimi për testet e shpejta do të jetë 10 euro.
Sa i përket frekuentimit të bareve, restoranteve, club-eve dhe eventeve sportive, është i detyrueshëm tregimi i pasaportës së imunitetit që vërteton vaksinimin ose shërimin nga COVID-19. Të pavaksinuarit mund të frekuentojnë kinematë, teatrot, muzetë dhe palestrat me anë të një testi negativ të kryer jo më vonë se 48 orë.
Ndërkaq, ju rikujtojmë se në Gjermani për një kohë të gjatë njerëzit ishin shpesh të paqartë mbi rregullat e shumta ndaj pandemisë së koronavirusit. Por kjo tashmë ka ndryshuar. Kush do të qendrojë brenda në restorant, në kafene, do të shkojë në kinema apo në pishinë, të vizitojë të afërmit në spital apo në strehimoret e kujdestarisë duhet të paraqesë dëshminë e vaksinimit të plotë, vërtetimin që është shëruar nga COVID-19 ose një test aktual.
Gjithashtu, një zëdhënëse e Komisionit Europian i tha “Deutsche Welle”-s, se procesi i pranimit të vendeve të Ballkanit në sistemin e certifikatave digjitale COVID të BE është në vazhdim, e së shpejti do të ketë aty vende të tjera. Certifikata digjitale e vaksinimit kundër COVID është në funksionim brenda BE nga 1 korriku. Vendet anëtare të Bashkimit Europian e njohin këtë certifikatë dhe qytetarët e pajisur me të mund të udhëtojnë të lirë.