Aktualitet Rajoni

Greqia voton/Mesazhet e kryeministrit Mitsotakis dhe liderit të opozitës, Tsipras!

Pasi votoi i shoqëruar nga djali Konstantinos dhe vajza Daphne, kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis tha se nesër do të jetë një ditë më e mirë:

Sot votojmë për të ardhmen tonë. Ne votojmë për paga më të larta, votojmë për më shumë e punë më të mira. Ne po votojmë për një sistem shëndetësor kombëtar më efikas, për një shoqëri me më pak pabarazi, për një atdhe më të fortë, me rol të rëndësishëm në Europë, me kufij të mbrojtur.

Zgjedhjet janë festa e demokracisë. Sot përgjegjësia për qeverisjen e vendit ju kalon juve qytetarëve, por jam absolutisht i sigurt se nesër do të gdhijë një ditë edhe më e mirë për vendin tonë.

Partia Demokracia e Re e shefit të qeverisë, Mitsotakis kryeson sondazhet përballë Syriza-s së ish-kryeministrit grek, Alexis Tsipras, i cili pasi votoi tha se “sot është ditë shprese”.

Sot është ditë shprese. Qytetarët kanë në dorë mundësinë për të zbatuar kërkesën për ndryshimin e kursit të vendit, për të lënë pas katër vite të vështira me pabarazi, padrejtësi, fitime të ndyra, pasiguri në punë, ankande, mungesë dinjiteti për pensionistët, shënjestrim për të rinjtë. Të lëmë pas një qeveri arrogante që nuk ndjen nevojat e të shumtëve dhe t’i hapim rrugë një qeverie bashkëpunimi progresiv, në një program drejtësie sociale, për të pasur shpresë, për një të nesërme më të mirë!

Ndërkaq, duket se “sëmundja” shqiptare e shit-blerjes së votës, për të cilën ndërkombëtarët nuk e kanë fshehur shqetësimin, nuk ka kursyer as Greqinë. Në prag të nisjes së procesit të votimit, policia arrestoi pesë pjesëtarë të komunitetit rom në fshatin Sovadhes të Kardhicës. U kapën duke blerë vota. Atyre iu gjetën dhe sekuestruan 197 karta identiteti e 114 zarfa me fletën e votimit për një kandidat. Brenda çantës iu zbulua dhe një shumë prej mbi 6 mijë eurosh.

Rreth 9.8 milion persona me të drejtë vote janë thirrur të votojnë në 21 mijë e 529 qendra votimi, për të zgjedhur deputetët e ardhshëm. 400 mijë janë votues për herë të parë dhe rreth 22 mijë ushtruan të drejtën zgjedhore jashtë Greqisë. Qendrat e votimit u hapën më 07:00 të mëngjesit, për t’u mbyllur në orën 19:00. Në garë janë dhe shtatë shqiptarë.

Kushtetuta përcakton se ushtrimi i së drejtës së votës është i detyrueshëm për të gjithë, me përjashtim të atyre që janë mbi 70 vjeç, personave që nuk ndodhen në Greqi ditën e zgjedhjeve, njerëzve që nuk mund të lëvizin për arsye shëndetësore dhe kujtdo të regjistruar që të votojë jashtë.