Në zgjedhjet parlamentare që po zhvillohen sot në Greqi garojnë dhe shtatë pjesëtarë të komunitetit të emigrantëve shqiptarë në shtetin fqinj. Fatos Malaj e Niko Bilika kandidojnë për partinë PASOK, në Athinë e Selanik. Adiljan Koxhaj, Makrina Koçi e Angjelos Jahollari konkurojnë me “Sirizën” në Selanik e Evia. Sidorela Kalthi për Partinë Komuniste greke në Kretë e Paty Vardhami në Athinë, me nismën “MERA 25”. Pasi votoi, Fatos Malaj apeloi që emigrantët të votojnë, siç u shpreh “për të ndryshuar sa mundemi ligjet, për të mirën e emigrantëve”.
Sot është një ditë e madhe për demokracinë, erdha, votova dhe unë në këtë qendër votimi. U bëj thirrje të gjithë qytetarëve, sidomos brezit të dytë të emigrantëve shqiptarë. duhet të votojnë për prindërit e tyre, pensionet e tyre, për lejet e qëndrimit të tyre, për të përfituar ata nënshtetësinë duke ndryshuar sa mundemi ligjet për të mirën e emigrantëve. E kemi thënë disa herë: çohuni dhe votoni, shkoni e votoni!
Në Greqi vijojnë votimet për zgjedhjet parlamentare, një proces që një ditë më parë u parapri nga votat e qytetarëve grekë, jashtë vendit fqinj. Rreth 9.8 milion persona me të drejtë vote janë thirrur të votojnë në 21 mijë e 529 qendra votimi, për të zgjedhur deputetët e ardhshëm. 400 mijë janë votues për herë të parë dhe rreth 22 mijë ushtruan të drejtën zgjedhore jashtë Greqisë. Qendrat e votimit u hapën më 07:00 të mëngjesit, për t’u mbyllur në orën 19:00.
Sipas Kushtetutës, ushtrimi i së drejtës së votës është i detyrueshëm për të gjithë, me përjashtim të atyre që janë mbi 70 vjeç, personave që nuk ndodhen në Greqi ditën e zgjedhjeve, njerëzve që nuk mund të lëvizin për arsye shëndetësore dhe kujtdo të regjistruar që të votojë jashtë. Partitë kryesore që pretendojnë krijimin e qeverisë së re janë “Demokracia e re” e kryeministrit Mitsotakis dhe SYRIZA e ish-kryeministrit, Tsipras.