Grupi i njohur irlandez i rokut, “Kodaline”, ka njoftuar ndarjen pas mbi dhjetë vitesh bashkëpunim, duke i dhënë fund një prej kapitujve më të dashur të muzikës alternative moderne.
Të njohur për hitet e tyre emocionale si “All I Want” dhe “High Hopes”, anëtarët e bendit njoftuan se do të publikojnë albumin e pestë dhe të fundit përpara se të ndahen përfundimisht.
E dimë që kjo mund të vijë si një surprizë, dhe është padyshim e hidhur e e ëmbël për ne
-tha grupi në një video në Instagram.
Ajo që kemi ndarë me ju ka ndryshuar jetën tonë përgjithmonë.
Formuar fillimisht si “21 Demands”, grupi nga Dublini mori emrin Kodaline në vitin 2012, duke sjellë një tingull të ri dhe më të rafinuar.
Vetëm një vit më vonë, ata publikuan albumin debutues “In A Perfect World”, i cili arriti në vendin e parë në Irlandë dhe të tretin në Mbretërinë e Bashkuar, duke i katapultuar drejt famës ndërkombëtare.
Me këngë që u bënë himne të dashurisë dhe humbjes, Kodaline u vlerësuan nga kritika dhe u nominuan për MTV Brand New 2013 dhe BBC Sound Of 2013.
Albumet pasuese “Coming Up For Air” (2015), “Politics Of Living” (2018) dhe “One Day At A Time” (2020) konfirmuan pozicionin e tyre si një prej bendëve më të suksesshëm të dekadës.
Lajmi i ndarjes ka prekur miliona fansa anembanë botës, të cilët shpresojnë se grupi do ta mbyllë historinë e tij me një turne lamtumire dhe një album përmbyllës që do të vulosë trashëgiminë e tyre në muzikën pop-rock.