Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka mbërritur në Gjykatën Speciale në Hagë, ku sot zhvillohet seanca e radhës e procesit gjyqësor ndaj tij. Kjo ditë shënon një fazë të re, fillimin e dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtjes. Pas muajsh dëshmish të paraqitura nga Prokuroria, tashmë është radha e ekipit mbrojtës. Me dëshmitë që sipas avokatëve, hedhin poshtë akuzat për krime lufte dhe kundër njerëzimit gjatë viteve 1998-1999. Procesi vijon edhe për Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin.
Dëshmitari i parë i thirrur nga mbrojtja e Thaçit është ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, diplomat dhe ekspert i njohur me mbi 35 vjet përvojë në politikën e jashtme. Aktualisht, shërben si Përfaqësues i Posaçëm dhe Koordinator në Qendrën për Angazhim Global të Departamentit të Shtetit.
Përveç karrierës diplomatike, Rubin ka shërbyer si profesor dhe komentator në institucione prestigjioze si Oxford, Universiteti Columbia dhe Shkolla Ekonomike e Londrës e është nderuar me çmime të larta për arritjet e tij profesionale.
Ndër të tjera, Rubin ka qenë ndihmëssekretar i Shtetit për Çështje Publike dhe zëdhënës i sekretares së Shtetit, Madeleine Albright. Në vitin 1999, ai është angazhuar si negociator i posaçëm për të siguruar çmobilizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sot është thirrur të japë dëshminë e tij mbi ngjarjet kyçe në Kosovë.
Mbrojtja e të akuzuarve i tha Radios Evropa e Lirë se lista e atyre që do të dëshmojnë në anën e tyre, nisur nga 15 shtatori është konfidenciale. Por, në media kanë qarkulluar disa emra, në mesin e tyre: Wesley Clark, William Walker, Bernard Kouchner e të tjerë.
Për çfarë akuzohen Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi?
Aktakuza u ngarkon atyre përgjegjësi për burgosje të paligjshme, torturë, vrasje, krime kundër njerëzimit, zhdukje me forcë dhe persekutim të qindra civilëve e personave që nuk morën pjesë në luftime. Dyshohet se këto krime ndodhën midis marsit 1998 e shtatorit 1999 në vende të ndryshme të Kosovës, si dhe në veri të Shqipërisë.
Sipas aktakuzës, viktimat përfshinin persona të dyshuar se ishin kundër UÇK-së e më vonë qeverisë së përkohshme të Kosovës, mes tyre anëtarë të komuniteteve serbe, rome dhe ashkali, katolikë, civilë të dyshuar për bashkëpunim me autoritetet serbe, si dhe shqiptarë që mbështetën parti të tjera ose nuk iu bashkuan UÇK-së.
Dhomat e Specializuara theksojnë se Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi mbajnë përgjegjësi penale personale për këto krime.