Hakmarrja e Iranit për vrasjen e liderit suprem Khamenei, shpërthime të reja e të vazhdueshme në Dubai, si edhe në kryeqytetin e Bahreinit, Manama, siç raporton AFP ndërsa sot është dita e dytë e përplasjeve midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës e Izraelit kundër Iranit.
Një re e dendur tymi të zi u pa sot edhe në qiellin e Dohas, pas disa shpërthimeve të forta të dëgjuara në kryeqytetin e Katarit. Në X, Ministria e Brendshme e Katarit raportoi se një zjarr “i vogël” shpërtheu në zonën industriale kur ranë mbetje pas kapjes së një rakete. Nuk ka të lënduar.
Irani po shënjestron bazat amerikane në shtetet e Gjirit, në përgjigje të sulmeve të përbashkëta SHBA-Izrael, që çuan në vrasjen e liderit superm, në pushtet prej 1989-ës.
Pas konfirmimit të vdekjes së Ajatollah Ali Khameneit, Republika Islamike shpalli qëllimin e për të përshkallëzuar përgjigjen e armatosur duke njoftuar sulme të gjera kundër bazave amerikane e izraelite.
Ndërkaq, krahas vrasjes së Shefit të Shtabit të Forcave të Armatosura të Iranit, Abdolrahim Mousavi, konfirmohet edhe ajo e ministrit të Mbrojtjes, Aziz Nasirzadeh, në sulmet e përbashkëta SHBA-Izrael kundër Republikës Islamike.
Agjencia shtetërore e lajmeve, Irna publikoi një listë me katër emra, përfshirë Shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Iranit, ministrin e Mbrojtjes, si dhe Komandantin e Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike, Mohammad Pakpour e Sekretarin e Këshillit të Mbrojtjes, Ali Shamkhani, vrasjet e të cilëve ishin raportuar më parë.
Në Iran, sekretari i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare, Ali Larijani, i parë gjerësisht nga media si kandidati i mundshëm për të pasuar Ali Khamenein si Udhëheqës Suprem, deklaroi në televizionin shtetëror se do të formohet një këshill qeverisës i përkohshëm për të udhëhequr vendin gjatë periudhës së tranzicionit.
Procesi i formimit të këshillit fillon sot, në përputhje me Nenin 111 të Kushtetutës, që ka të bëjë me vdekjen ose shkarkimin e udhëheqësit. Këshilli do të përbëhet nga presidenti, Masoud Pezeshkian, kreu i gjyqësorit, Gholamhossein Ejei.
Po ashtu, nga njëri prej juristëve islamikë, anëtarë të Këshillit të Kujdestarit, i cili emërohet nga Këshilli i Përshtatshmërisë, deri në prezantimin e udhëheqësit të ri nga Asambleja e Ekspertëve.