Bota

Sulme të reja ndaj Iranit/40 ditë zie për vrasjen e Khamaneit/Trump: Kemi kandidatë të mirë për pasuesin!

Është dita e dytë e përplasjeve midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës e Izraelit kundër Iranit. Pas konfirmimit të vdekjes së Ajatollah Ali Khameneit, Liderit Suprem të vendit, Republika Islamike njoftoi qëllimin e për të përshkallëzuar përgjigjen e armatosur duke njoftuar sulme të gjera kundër bazave amerikane e izraelite.

Pasdaran, Garda Revolucionare e Iranit, tha se do të hakmerrej për vdekjen e Khamenei-t me “operacionin më të egër ofensiv në historinë e vendit”.

Dora e hakmarrjes e kombit iranian nuk do t’i lëshojë vrasësit e Ajatollah Ali Khameneit, derisa ata të përballen me një ndëshkim të rëndë.

Ndërkohë, sulmet vazhdojnë: Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) njoftuan një valë të re sulmesh kundër Iranit, ndërsa Pasdaran pretendoi se ka nisur “sulme në shkallë të gjerë me raketa dhe dronë” kundër 27 bazave ushtarake amerikane dhe izraelite, në të gjithë rajonin.

Irani tha se do të godasë shumë fort, më fort se ndonjëherë më parë. Është më mirë nëse nuk e bën, megjithatë, sepse nëse e bën do t’i godasim me një forcë që nuk e kemi parë kurrë më parë!

Ky ishte paralajmërimi i presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, i postuar në platformën e tij të mediave sociale Truth dhe drejtuar Teheranit, pasi Pasdaran njoftoi sulme shumë të rënda në përgjigje të goditjeve amerikano-izraelite që çuan në vrasjen e Udhëheqësit Suprem, Ajatollah Ali Khamenei.

Një zgjidhje diplomatike për tensionet midis Iranit, Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara është “lehtësisht” e mundur, tha Trump në një intervistë me CBS News.

Shumë më e lehtë tani se ç’ishte më parë, padyshim, sepse ata janë nën presion të madh. Unë e di se kush po e udhëheq Iranin pas vdekjes së Khameneit.

Por, Trump nuk dha detaje të mëtejshme. Kur u pyet se kë do të donte të shihte të drejtonte Iranin, Trump u përgjigj:

Ka disa kandidatë të mirë.

Presidenti amerikan nuk u ndal në hollësi të mëtejshme. Ndërkaq, për vdekjen e liderit Khamanei, Republika Islamike shpalli 40 ditë zie.

Irani deklaroi edhe një pezullim njëjavor të aktiviteteve publike pas vdekjes, në moshën 86 vjeçare, të Udhëheqësit Suprem, në pushtet nga 1989-ta.

Me martirizimin e Udhëheqësit Suprem, rruga dhe misioni i tij nuk do të humbasin ose harrohen, por përkundrazi do të ecin përpara me më shumë energji e zell, lexoi një prezantues i televizionit shtetëror.