Nga sot, Unaza e Madhe e Tiranës u hap e gjitha për qarkullimin e mjeteve. Kryeministri Edi Rama dhe zëvendëskryeministrja, njëherazi ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ishin në terren. Projekti 28.7 kilometra i gjatë, lidh kryeqytetin me të gjitha rrugët dalëse kombëtare.
Unaza e Madhe e Tiranës është projekti më i madh infrastrukturor në kryeqytet, i finalizuar brenda afateve dhe pritet të çlirojë Tiranën nga trafiku, si dhe do të ketë ndikim të rëndësishëm në ekonomi, pasi vlera e pasurive të paluajtshme në këtë zonë është dyfishuar, duke shkuar në 1200 euro m2, nga 600 që ishte para nisjes së ndërtimit të kësaj autostrade.
Ministrja Balluku deklaroi:
Na është dashur të spostojmë mbi 654 ndërtesa. Tashmë është plotësisht e përfunduar. Kemi ende disa momente, janë detaje të vogla që përfundojnë brenda janarit.
Balluku vuri në dukje se e gjithë Unaza është e kategorisë “A”, urbane me ndriçim apo dhe zona të gjelbra.
Në nyjen e Lotit 1, ku lidhet ish-sheshi “Shqiponja” me zonën e Paskuqanit janë hapur të gjithë tunelet. Në këtë nyje kalon edhe hekurudha Tiranë-Durrës dhe degëzimi me Rinasin.
Po ashtu, Balluku informoi se për ndërtimin e kësaj autostrade u nevojit spostimi i linjave të energjisë elektrike.
Unaza Veriore, segmenti i hapur sot, u nda në 7 lote. Pjesë e projektit janë disa vepra arti, 4 kryqëzime në disnivel, 1 viadukt me gjatësi 420 m, dy ura mbi lumin e Tiranës me gjatësi 280 dhe 130 m.
Janë ndërtuar gjithashtu mure mbajtëse dhe pritëse, si dhe janë realizuar punime për mbrojtjen lumore me pilota, punime për spostimin e linjave të kanalizimeve, rrjetit të ujësjellësit dhe linjat e tensionit të mesëm dhe të lartë.
U realizuan sistemi i ndriçimit rrugor, sinjalistikës e sigurisë rrugore, si dhe brezat e gjelbëruar.