Me rritjen e temperaturave janë shtuar rastet e helmimeve ushqimore. Por më të shumta janë rastet e problemeve të shkaktuara nga ushqimet që dëmtohen nga të nxehtit. Mjeku i familjes Bujar Mema veçon rastet që hasen më shpesh këtë sezon: “Rritje të lehtë të rasteve gastointerite. Pra, probleme me stomakun e zorrët, por jo helmime”. Po si të mbrohemi nga ushqimet që dëmtohen gjatë verës?! Doktor Bujari ka disa këshilla: “Bërja e pazarit në mëngjes herët për të shmangur efektet me kalimin e ditës”. Në verë shtohet edhe meraku për cilësinë e produkteve, disa prej të cilave tregtohen në rrugë të ekspozuara ndaj mikrobeve dhe nxehtësisë. “Konsumatorët ashtu siç zgjedhin përqindjen e yndyrave, të bëjnë kujdes edhe në blerjen e produkteve”, thotë mjeku. Doktor Bujari rekomandon një shpëlarje me ujë të rrjedhshëm të fruta perimeve. “Dëgjojmë larje me sapun, detergjent enësh dhe sodë. Unë nuk di ndonjë material, që larja në këtë mënyrë bën mrekulli në larjen e produktin. Larja me ujë është e mjaftueshme”, thotë Bujar Mema. Teksa pushojmë, të gjithë jemi dëshmitarë të faktit që një mori produktesh na tregtohen buzës së detit. “Jam kundër blerjes së produkteve si akullore, kuleçë, midhje, që na serviren, pasi i kanë rënë lart e poshtë plazhit të ekspozuara në diell”, shprehet mjeku.