Kryetari i Bashkisë së Gramshit, Besion Ajazi ka folur në lidhje me infektimin me salmonelë të 14 fëmijëve në kopshtin numër 1 të Gramshit.
“Në ditët e fundit është shfaqur një rast, më pas u bënë dy dhe 6, fëmijë nga i njëjti kopsht që morën ndihmë mjekësore në spitalin e Gramshit, Kjo na vuri në alert. Dua që nëpërmjet jush të sqaroj disa të pavërteta të mëdha në këtë histori tollovitje portalesh, nuk kemi të bëjmë me 672 raste helmimi, as me 72 fëmijë të shtruar apo helmim për shkak të ushqimit, sepse ende nuk kemi përgjigjen e analizave.
Nuk kemi të bëjmë me raste abuzimi, por me një fakt që e dimë mirë të gjithë, që janë evidentuar disa raste me salmonelë në një kopsht publik.
Ushqimi nuk funksionon me katering, por me furnizim nga një kompani dhe me gatim në ambientet e kopshtit me kuzhinier që prej vitesh ushqejnë vogëlushët. Ky është rasti i parë që ka ndodhur. Nuk e dimë ende se çfarë ka ndodhur sepse vijon hetimi. Jemi në alert për gjendjen shëndetësore të vogëlushëve. Fatmirësisht nuk kemi të bëjmë me një rast masiv”, tha ai.
Prindërit e fëmijëve që u helmuan me salmonelë në kopshtin nr.1 në Gramsh kanë dalë sot në protestë para bashkisë, duke kërkuar zbardhjen e ngjarjes. Për mediat ata shprehin shqetësimin për sigurinë e fëmijëve të tyre, ndërsa hedhin akuza se ngjarja është tentuar qe të mbahet e fshehtë.
Njëri nga prindërit, në një prononcim për mediat, i bëri thirrje prokurorisë që t’i shkojë deri në fund ngjarjes.
“Na keni helmuar fëmijët. Na jepni përgjigje, i bëj thirrje Prokurorisë. Prokurori Kreshnik Ajazi të ndjekë këtë çështje. Çoje deri në fund këtë ngjarje. Të intimidohen njerëzit ka 10 ditë. Këtu duhet të kishte dalë i gjithë Gramshi, se nesër mund të jenë fëmijët e tyre. Nuk është çështje politike por qytetare. Në çdo rast, dhe për diçka të vogël, po të shkojmë në spitalin e Gramshit, vjen automatikisht policia. Provat janë marrë të shtunën nga AKU”, deklaroi një prind.