Aktualitet

Hetime për vdekjen e dy turisteve në Qafë-Valbonë/Ranë në greminë dhe iu ra një ortek bore!

Dy turistet e huaja që dje humbën jetën tragjikisht ndërsa po eksploronin zonën në Qafë-Valbonë janë belgia Baets Myrthe, 25 vjeçe dhe Joanna Blocaille nga Franca. Mësohet se në shtegun Valbonë-Theth, dy të rejat po lëviznin pa një shoqërues që njeh zonën dhe dyshohet se si pasojë e terrenit të vështirë e kushteve atmosferike jo të mira, me mjegull e borë, rrëshqitën e përfunduan në greminë.

Po ashtu, mësohet se më vonë ra dhe një ortek, çka rezultoi fatale për jetën e tyre. Ngjarja e rëndë shënohet në të njëjtin vend ku fiks një vit më parë, humbi jetën një turist gjerman.

Për të bërë të mundur nxjerrjen e trupave të pajetë, në vendngjarje shkuan shërbimet e policisë Kukës e të asaj kufitare, si dhe skuadra alpine, në bashkëpunim me Emergjencat Civile dhe me Ministrinë e Mbrojtjes.

Ndërkaq, bëhet e ditur se grupi hetimor i Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe për përcaktimin e shkakut të vdekjes së dy turisteve.

Edhe më parë janë shënuar raste tragjike gjatë kalimit të shtegut Theth-Valbonë, pasi turistët e huaj të cilët eksplorojnë zonën nuk e njohin terrenin.

Orët e fundit, një tjetër rast u shënua në jug të vendit, ku në kanionet e Osumit, rrjedha e lumit mori para një turist holandez,  i cili ende nuk është gjetur.