Shtatë qen shtëpiakë të vjedhur nga një fshat në verilindje të Kinës janë bërë viral në rrjet, pasi arritën të arratisen dhe të kthehen vetë në shtëpi. Grupi besohet se përshkoi rreth 17 kilometra, duke kaluar rrugë të ngarkuara dhe fusha të hapura, përpara se të ribashkohej me pronarët disa ditë më vonë.

Pamjet e tyre u përhapën me shpejtësi në rrjetet sociale, pasi një kalimtar i rastësishëm i filmoi duke ecur në formacion përgjatë një autostrade. Shumë përdorues vunë re koordinimin e pazakontë të qenushëve. Sipas raportimeve, një qen i racës Corgi udhëhiqte grupin dhe kthehej herë pas here për të kontrolluar të tjerët, ndërsa qentë rrethonin një pastor gjerman të plagosur në mes të tufës.
Në grup përfshiheshin edhe Golden Retriever, Labrador dhe një Pekinez. Pamje të tjera tregojnë se qentë vazhduan rrugën përmes fushave, duke qëndruar së bashku dhe duke injoruar përpjekjet e njerëzve për t’i ndaluar. Vullnetarët konfirmuan më pas se të gjithë qentë vinin nga i njëjti fshat, ku njiheshin për lidhjen e fortë mes tyre. Ata ndoqën lëvizjet e grupit deri më 19 mars, kur të shtatë qentë arritën të ktheheshin te pronarët e tyre.